Një vajzë 22-vjeçare shqiptare është denoncuar e humbur në Romë pasi që prej 25 marsit ka shkëputur kontaktet me familjarët dhe miqtë.
Ilaria Sula jetonte në zonën Furio Camillo, në një apartament që ndante me disa shoqe. Familjarët e saj janë shprehur të shqetësuar dhe kanë nisur një apel në rrjetet sociale, duke kërkuar çdo informacion në lidhje me të. Po ashtu, ata kanë bërë edhe denoncim në polici.
Sipas raportimeve të mediave italiane, vajza, e cila është regjistruar në Fakultetin e Statistikave në Universitetin La Sapienza, ishte ndarë me të dashurin e saj para se të largohej. Herët e fundit që ka komunikuar me shoqet e saj ka qenë nëpërmjet mesazheve në WhatsApp, por më pas ajo nuk është kthyer në banesë. Që prej asaj kohe, askush nuk ka mundur të kontaktojë me të pasi telefoni i saj rezulton i fikur.
Hetimet për zbardhjen e rastit kanë nisur, ndërkohë që familjarët dhe miqtë e saj janë duke kërkuar çdo informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e saj.