Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka zbuluar mish pule të kontaminuar me bakterin Salmonelë në gjashtë subjekte në Vlorë, përfshirë markete, restorante dhe "Fast food"-e. Si masë mbrojtëse, autoritetet kanë sekuestruar produktet dhe kanë marrë masa administrative ndaj bizneseve të përfshira.
Salmonela është një bakter që mund të shkaktojë helmim ushqimor serioz, me simptoma si diarre, ethe dhe dhembje barku. Konsumimi i mishit të kontaminuar mund të jetë veçanërisht i rrezikshëm për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sistem imunitar të dobët.
AKU ka konfirmuar se inspektimet do të vazhdojnë, pasi dyshohet se mund të ketë më shumë subjekte të përfshira. Ky rast tregon nevojën për kontrolle të rrepta dhe ndërgjegjësim për sigurinë ushqimore për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve.