Banorët e Rrugës “Revolucioni Antihungarez" në Shkodër kanë ngritur shqetësimin për gjendjen e rëndë të infrastrukturës. Ata thonë se prej dy vitesh u është premtuar rikonstruksioni i rrugës, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë.
Sipas tyre është e pamundur të kalosh në këtë rrugë, qoftë në këmbë, qoftë me makinë. Përveç rrugës banorët ankohen edhe për ndotjen e ujit të pijshëm, i cili përzihet me ujërat e zeza duke u kthyer në një rrezik për qytetarët.
Përballë rrugëve me gropa dhe ndotja e ujit të pijshëm, ndriçimi në rrugë duket një problem i vogël, por ky është kthyer në rrezik për banorët, duke u shprehur se gjendja e ndriçimit në lagje është kritike, me shumë zona të errëta që konsiderohen të rrezikshme për të ecur natën. Pas këtyre kushteve të paplotësuara ndaj qytetarëve natyrshëm lind pyetja. A ka kryetar bashkie Shkodra?
Denoncimi
"Përshëndetje JOQ! Jam një banor i lagjes tej stacioni i trenit, Shkoder. Rr. "Rvolucioni Antihungarez" Ju lutem publikohen që ta shikojë kryetari i bashkisë sonë Z. Beci. Ka 2 vite që është premtuar se do vihet dorë në këtë rrugë dhe nuk është bërë asgjë.
Është shumë e vështirë të kalosh çoftë në këmbë, çoftë me makina që po na shkatërrohen çdo ditë. Uji i pijshëm, përzihet me ujërat e zeza, rruga siç e shikoni vet, ndriçimi për faqe të zezë, nuk është mbajtur asnjë premtim, tani kërkojnë votën tonë, se do na fusin në BE.
Si mund të futemi në BE, kur nuk kemi minimumin jetik të standardit infrastrukturor. Ju falenderoj shumë se jeni zëri i vetëm ku mund të ankohemi. Anonim Ju lutem, se na e heqin bukën e fëmijëve.