Lakra shqiptare e preferuara e vendeve baltike, eksportet rriten me 71%

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 01.04.2025, 09:50

Në dymujorin e parë të vitit 2025, eksportet e zarzavateve shqiptare kanë shënuar një rritje të ndjeshme, duke reflektuar ndikimin pozitiv të klimës të ngrohtë dhe kërkesës gjithnjë në rritje nga vendet e Lindjes dhe ato baltike. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, eksportet e zarzavateve në janar-shkurt 2025 janë rritur me 71% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa eksportet e frutave kanë regjistruar një rënie prej 48%.

Klima e këtij viti ka favorizuar rendimentin e perimeve dhe zarzavateve të dimrit, duke sjellë një sezon të mbarë për lakrën. Ruzhdi Koni, eksportues i njohur i produkteve bujqësore, theksoi se ka pasur një rritje të konsiderueshme të kërkesës për lakrën shqiptare, sidomos në vendet e Lindjes dhe ato baltike, përfshirë Bullgarinë, Poloninë, Ukrainën, Moldavinë, Letoninë, Lituaninë dhe Estoninë.

Sipas Konit, dy faktorë kanë kontribuar në këtë rritje: kërkesa dhe çmimi i lakrës janë rritur njëkohësisht. Lakra është një produkt bazë në kuzhinat e Europës Lindore, por prodhimi i brendshëm në këto vende ka qenë më i ulët se zakonisht, duke nxitur kërkesën për import nga Shqipëria.

Një nga avantazhet kryesore të eksportit të lakrës është që ajo rritet natyrshëm gjatë dimrit dhe nuk kërkon investime të mëdha, siç është rasti me serra. Shqipëria po eksporton dy lloje lakrash: lakrën për sallatë dhe lakrën me kokë, të cilat përdoren për gatime të ndryshme. Lakra me kokë eksportohet kryesisht në Serbi, Kroaci, Austri dhe Bosnjë, ndërsa lakra për sallatë shkon në vendet baltike si Letonia, Estonia dhe Lituania, si dhe në Moldavi, Ukrainë, Poloni dhe Bullgari.

Në rajon, Shqipëria është një eksportues i madh i perimeve dhe zarzavateve, veçanërisht domateve dhe kastravecëve të serrave. Sasia më e madhe e eksportit të zarzavateve ka shkuar në Serbi, me një rritje prej 86% në shkurt krahasuar me vitin e kaluar, pasuar nga Bosnja (1600 tonë eksporte me rritje 23%) dhe Kosova (1500 tonë eksporte me rritje 35%). Eksportet në Bullgari dhe Poloni kanë pësuar një rritje të shkëlqyer, me 95% dhe 144% respektivisht.

Lushnja, Divjaka, Fieri, Vlora dhe Shkodra janë disa nga rajonet më të mëdha të prodhimit të lakrës këtë sezon, dhe gjithnjë e më shumë fermerë po zgjerojnë sipërfaqet e mbjella, për t'iu përgjigjur kërkesës në rritje.

Ky sezon tregoi se Shqipëria ka potencialin të rrisë më tej eksportet e produkteve bujqësore, duke shfrytëzuar klimën e favorshme dhe kërkesën ndërkombëtare për produkte të cilësisë së lartë si lakra.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit