Ata janë të parët që vrapojnë drejt rrezikut, pa menduar dy herë për sigurinë e tyre. Zjarrfikësit, këta heronj të heshtur të shoqërisë sonë, shpeshherë përballen me situata ekstreme për të shpëtuar jetë dhe prona.
Por, çfarë fshihet pas uniformave të tyre? Një denoncim i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania hedh dritë mbi kushtet e vështira në të cilat punojnë zjarrfikësit, duke ngritur pikëpyetje të rënda mbi vlerësimin dhe mbështetjen që ata marrin.
Sipas një qytetareje, bashkëshortja e një zjarrfikësi, realiteti i punës së tyre është larg nga imazhi heroik që shpesh projektohet. Ajo thekson se orët e natës dhe ditët e festave nuk paguhen, ushqimi nuk sigurohet, dhe turnet 24-orëshe janë norma, pa kompensim shtesë. Paga, sipas saj, mbetet e ulët, duke e bërë të vështirë mbajtjen e familjes.
Denoncimi thekson në veçanti situatën në repartin e Elbasanit, ku shoferët detyrohen të punojnë çdo dy ditë, duke kryer deri në 11 shërbime 24-orëshe në muaj, në vend të 8 të parashikuara. Kjo, sipas denoncueses, ndodh për shkak të mungësës së vullnetit për të punësuar shoferë të rinj, duke i ndarë me forcë këta punonjës nga familjet e tyre për pjesën më të madhe të muajit.
Ky denoncim prekës ngre zërin për një kategori punonjësish që sakrifikojnë shumë për sigurinë e të gjithëve, por duket se shpeshherë harrohen dhe neglizhohen. Është thelbësore që institucionet përgjegjëse të reflektojnë mbi këto shqetësime dhe të marrin masa për të përmirësuar kushtet e punës dhe vlerësimin e zjarrfikësve në Shqipëri.
Denoncimi i plotë i qytetares:
'Përshëndetje JOQ Albania, e vetmja faqe ku mund të shprehemi. Shumë probleme ka dhe sektori i zjarrfikësve. Nuk u paguajnë orët e natës, as festat, as ushqimet. Punojnë 24 orë dhe nuk paguhen sa meritojnë. E kanë rrogën 500 mijë lekë të vjetra. Sidomos në repartin e Elbasanit, që shoferët dalin çdo dy ditë në punë. Unë jam nusja e njërit prej shoferëve. Ju lutem, po na ndajnë nga familjet me zor. Kështu, sepse turnet në zjarrfikëse janë 24 orëshe dhe në muaj duhet të bëjnë 8 shërbime 24 orëshe, por shoferët në Elbasan bëjnë 11 shërbime, sepse nuk duan të sjellin shofer të ri. Dhe më shumë rri në repart sesa në shtëpi.'