1700 euro m2 në ish-fushën e aviacionit, por rrugët si në mesjetë, firma ndërtuese dhe bashkia nuk marrin masa

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 31.03.2025, 19:35

Në kohën kur kryeministri Rama po përsërit refrenin se Shqipëria do të bëhet si gjithë Europa, është shqetësuese që ende shumë zona të qytetit, si ish-fusha e aviacionit, po përballen me kushte të papranueshme infrastrukturore.

Prej 6 vitesh tashmë nuk është vënë dorë në rrugën që lidh hyrjen e bllokut të pallateve në ish-fushën e aviacionit, me rrugën kryesore. Rruga është e mbushur me gropa, që gjatë shirave krijojnë pellgje me ujë, ku është e pamundur të kalosh në këmbë, por jo vetëm. Makinat po shkatërrohen nga tronditjet dhe po nxjerrin një mijë probleme dita ditës.

Sipas banorëve firma ndërtuese IBN shpk nuk merr përgjegjësi për shtrimin e rrugës, duke e konsideruar atë si detyrë të bashkisë, ndërsa kjo e fundit pohon se përgjegjësia i takon firmës. Ndërkohë, ankesat e banorëve për zgjidhjen e këtij problemi, si nga ana e pronarit të pallatit ashtu edhe nga bashkia, kanë rënë në vesh të shurdhër.

Ironikisht, pavarësisht nga kushtet për të ardhur turp, çmimi i apartamenteve në këtë zonë varion nga 1,500 deri në 1,700 euro për metër katror, ndërsa qiratë shkojnë rreth 400 euro në muaj. Me sa duket, rrugët e mbushura me gropa dhe pellgje uji nuk janë pengesë për çmimet që garojnë denjësisht me ato të qyteteve perëndimore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit