Dy shqiptarë të moshës 34 dhe 22 vjeç janë vënë në pranga nga policia italiane, pasi akuzohen për rrëmbim dhe plagosje të një të mituri 17-vjeçar. Ngjarja mësohet se ka ndodhur vitin e kaluar.
Të arrestuarit janë persona me precedentë penalë në fushën e drogës.
Prokuroria e Milanos nisi hetimet për rastin pas denoncimit të të miturit, i cili raportoi se ishte rrëmbyer dhe plagosur më 1 prill të vitit të kaluar. Bazuar në dëshmitë e mbledhura, shqyrtimin e kamerave të sigurisë dhe përgjimet telefonike, u konfirmua se ai ishte ndaluar papritur nga dy autorët në një rrugë dytësore.
Dy shqiptarët e dhunuan të miturin me shkop bejsbolli dhe e kërcënuan me armë zjarri, duke e detyruar të “rrëfente” për dëmtimin e një makine dhe vjedhjen e një sasie të vogël kokaine nga automjeti. Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej të dyshuarve, karabinierët gjetën rreth 250 gramë kokainë dhe 5000 euro para të gatshme.
Me urdhër të gjykatës, të arrestuarit po mbahen në paraburgimin e San Vittore në Milano.