Duket se nuk ka qenë Erion Veliaj shiu që rriste kullëpurdhat në Tiranë, pasi tashmë që kryebashkiaku nuk ndodhet i pranishëm në zyrë për të firmosur, një kullë e re do i shtohet Tiranës me firmën e Belinda Ballukut.
Janë vetë banorët e njësisë nr. 5 dhe prindërit e nxënësve të shkollës “Emin Duraku” të cilët kanë ngritur alarmin për një kullë të re 16-katëshe e cila rrezikon jetën e komunitetit.
Kulla pritet të ngrihet mes tre pallateve ekzistuese dhe në një distancë të frikshme prej vetëm 7 metrash nga shkolla. Banorët akuzojnë zëvendëskryeministren Belinda Balluku për firmosjen e kësaj lejeje në kundërshtim me çdo ligj urbanistik dhe paralajmërojnë kallëzim penal në SPAK.
Sipas dokumenteve të siguruara nga banorët, ndërtesat ekzistuese pranë truallit ku do të ngrihet kulla janë ndërtuar në vitet ’30 dhe kanë një strukturë të brishtë. Ekspertët paralajmërojnë se çdo gërmim për themelet e kullës mund të shkaktojë çarje ose shembje të menjëhershme. Por pavarësisht kësaj, firma e ndërtimit ka nisur punimet, duke shkaktuar reagime të forta nga komuniteti.
Dje në mëngjes, banorët dhe prindërit e nxënësve u mblodhën në një protestë urgjente, duke kërkuar ndalimin e punimeve. Ata thirrën Policinë dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IKMT), të cilët mbërritën në vendngjarje, por ndërhyrja e tyre ishte më shumë simbolike sesa penguese për projektin.
Sipas investigimeve, pas këtij projekti fshihen emra të njohur të politikës dhe biznesit. Ish-ministrja Elva Margariti dhe Agron Lufi, profesor i arkitekturës dhe njëherësh daja i saj, përmenden si bashkëpërfitues të këtij ndërtimi.
Pronarët e kompanisë që po e zhvillon projektin janë Gentian Paruca dhe Fation Alliu, ndërsa në prapaskenë përfliten edhe emra të tjerë me ndikim në sektorin e ndërtimit dhe politikës si Elvis Roshi.
Ky truall ka qenë subjekt i kërkesave për ndërtim për më shumë se 20 vjet, por më parë lejet janë refuzuar për shkak të pozicionit të ndjeshëm pranë shkollës dhe karakterit të zonës. Megjithatë, një ndryshim i fundit ligjor i miratuar nga qeveria ka lejuar shmangien e rregullave urbanistike për projekte të konsideruara “strategjike”.
Kjo ngre pyetjen: Çfarë strategjie fshihet pas një kulle 16-katëshe mes pallateve dhe shkollës?
Burime brenda komunitetit pohojnë se plani fillestar i shkollës “Emin Duraku” është ndryshuar për të krijuar artificialisht hapësirë për ndërtimin e kullës. Ky ndryshim nuk mund të ketë ndodhur pa miratimin e zyrtarëve të lartë dhe projektuesve të lidhur me interesat ndërtimore.
Banorët kanë një kërkesë të thjeshtë për zyrtarët që firmosën këtë leje: të jetojnë vetë në apartamentet pranë shkollës dhe të përjetojnë pasojat e këtij vendimi. Ndërsa për profesor Agron Lufin, ata propozojnë një leksion të hapur për studentët e arkitekturës me temën: “Si të shkatërrosh një komunitet përmes korrupsionit dhe babëzisë.”