Një tjetër denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, këtë herë nga një oficer i Forcave të Armatosura. Sipas tij, ushtarakët shqiptarë janë të detyruar të blejnë uniformat, këpucët dhe sandalet me para nga xhepi i tyre, megjithëse këto shpenzime duhet të mbulohen nga shteti. Ministria e Mbrojtjes, institucioni përgjegjës për pajisjen e ushtarakëve, nuk ka siguruar uniforma prej të paktën pesë vitesh, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi fondet e destinuara për këtë qëllim.
Denoncimi i oficerit thekson vështirësitë e mëdha me të cilat përballen ushtarakët shqiptarë, të cilët, përveç pagave të ulëta, duhet të mbulojnë edhe shpenzime që ligjërisht nuk i takojnë. Ai shprehet i revoltuar për situatën, duke treguar një rast personal që pasqyron gjendjen e rëndë të forcave tona të mbrojtjes:
"Me 60 eurot që shpenzova për të blerë uniformën e punës, do të doja t’i kisha blerë një kostum sportiv djalit tim, që më lutet prej një muaji. Por nuk mundem! Shteti ka për detyrë të na pajisë me dy uniforma në vit, por prej pesë vitesh nuk kemi marrë asnjë të re. Ku janë fondet që janë shpallur për tendera marramendës? Nëse uniformat janë blerë në letër, pse ne vazhdojmë t’i blejmë vetë?"
Sipas tij, e gjithë ushtria është në të njëjtën situatë, përfshirë edhe forcat speciale. Ai shton se frika nga hakmarrja dhe transferimet e detyruara e bën të vështirë për ushtarakët të ngrejnë zërin, por realiteti është i qartë: oficerët e ushtrisë shqiptare, pjesë e një vendi anëtar të NATO-s, nuk kanë armë, nuk kanë pajisje dhe detyrohen të blejnë vetë uniformat.
Kjo situatë ngre një pyetje madhore: Ku kanë shkuar paratë që shteti duhej të kishte shpenzuar për uniformat e ushtrisë? Përse ushtarakët shqiptarë, që janë në shërbim të atdheut, duhet të sakrifikojnë të ardhurat e tyre për të plotësuar nevojat bazë të punës?
Në një kohë kur raportet për keqmenaxhimin e fondeve publike janë të shumta, ky denoncim është një tjetër dëshmi e neglizhencës ndaj Forcave të Armatosura. A do të reagojë Ministria e Mbrojtjes dhe ministri Pirro Vengu për këtë skandal, apo edhe kjo çështje do të fshihet nën heshtje?