Sot ndryshoi ora, si ndikon kjo në shëndetin tonë?

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 30.03.2025, 18:33

Me ardhjen e pranverës ka ndodhur edhe ndryshimi i orës, ku akrepat janë zhvendosur 60 minuta përpara. Ky është një fenomen natyror që reflekton ndryshimin e gjatësi së ditës, duke e bërë atë më të madhe se nata.

E diela e 30 marsit ka sjellë këtë ndryshim në Shqipëri, duke i detyruar njerëzit të zgjohen një orë më herët. Përditshmëria e tyre, përfshirë angazhimet dhe nisja për në punë, do të zhvillohet më herët krahasuar me ditën e mëparshme, 29 marsin. Ky orar njihet edhe si “ora ligjore”.

Ndikimi në organizëm

Ndryshimi i orës mund të sjellë avantazhe, por edhe disavantazhe për organizmin. Trupi e përjeton këtë lëvizje të menjëhershme të kohës, ashtu siç ndodh kur përballemi me lodhjen fizike të shkaktuar nga kalimi në një zonë tjetër kohore pas një udhëtimi të gjatë ajror. Studimet tregojnë se fëmijët dhe të moshuarit e ndiejnë më shumë këtë ndryshim, i cili mund të vazhdojë të ndikojë edhe në ditët në vijim.

Sipas një studimi të publikuar në Neuroscience Letters, gjatë periudhës së tranzicionit nga ora diellore në atë ligjore dhe anasjelltas, njerëzit priren të flenë më pak dhe të shohin më pak ëndrra.

Ndikimi në përqendrim dhe sigurinë rrugore

Ndryshimi i orës shpesh shoqërohet me rritje të nivelit të stresit dhe një ndjenjë të përgjithshme lodhjeje, e cila ndikon në aftësinë tonë për t’u përqendruar. Për këtë arsye, është vënë re një shtim i numrit të aksidenteve rrugore, kryesisht të hënën e parë pas ndërrimit të orës.

Megjithatë, studimet tregojnë se, përtej kësaj periudhe fillestare, incidentet vdekjeprurëse ulen ndjeshëm gjatë kohës kur zbatohet ora ligjore. Arsyeja kryesore duket të jetë fakti që njerëzit përfitojnë nga më shumë dritë natyrale në orët kur kthehen nga puna.

Si ta përballojmë ndryshimin e orës?

Për të minimizuar efektet negative të ndryshimit të orës, rekomandohet që organizmi të përgatitet gradualisht. Kjo mund të arrihet duke përshtatur orarin e gjumit dhe të zgjimit një apo dy ditë më herët, në mënyrë që trupi të mësohet me ndryshimin dhe të shmanget lodhja e tepërt.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit