Cirku, lojërat e fjalëve, muzikë me dajre apo hip hop, tregime me protagonistë shpendët grabitqar të natës apo video me animime, këto janë metodat që po përdorin politikanët për të joshur popullin me qëllim t’i marrin votën, ata vetë e kanë pohuar më parë se "populli do cirk dhe bukë".
Ardit Bido, një kandidat i PS në Vlorë, vendosi të publikojë një video nga kryeministri Rama që vë në lojë kundërshtarët politikë, me titullin "Për bufin dhe shokët e tij." Natyrisht, kjo video nuk i ka shpëtuar vëmendjes së Adriatik Lapajt, drejtuesit të nismës "Shqipëria Bëhet," i cili me shumë zemërim ka reaguar ndaj Bidos. Lapaj, nuk është kursyer duke i përmendur në koment momentet e vështira kur ai qëndroi me të gjatë natës së vështirë pas ndarjes nga jeta të nënës së Bidos, madje i kujton se duhet të sillet si burrë dhe të respektojë parimet e politikës. Njëri që "shet shokun" për politikë dhe tjetri që nuk lë të mirë pa i përmendur, në koment, që ta marrin vesh të gjithë.
Bido, pas këtij reagimi ka hequr statusin por nuk mund të fshihet ajo që qëndron pas këtij momenti të vogël. Këto janë tipret e politikanëve të rinj të "trajnuar" nga vjetërit ku emocionet dhe inatet janë gjithmonë më të fuqishme se argumentet, dhe marrëdhëniet personale ngatërrohen me parimet politike.