Zgjedhjet parlamentare janë vetëm 43 ditë larg dhe politikanët janë futur në modalitetin e tyre të preferuar: premtimet përrallore. Kjo është koha kur Shqipëria shndërrohet në një vend magjik, ku rrugët bëhen të arta, rrogat europiane, pensionistët jetojnë si në Suedi dhe spitalet konkurrojnë me ato të Gjermanisë… të paktën në fjalimet e kandidatëve.
Këtë realitet absurd e ka vënë në lojë edhe imami i xhamisë së Pezës, Dritan Dorzi, në një moment epik ironie që është kapur në një video të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania. Duke mbajtur në dorë një lugë ngjyrë ari, ai shpall me një ton humoristik: "Pas zgjedhjeve të gjithë do hamë me lugë floriri!"
Një besimtar i pranishëm nuk humbi rastin për të kompletuar skenën me një batutë po aq të mprehtë: "Groshë me lugë floriri!" Sepse, le të jemi realistë, premtimet janë gjithmonë të mëdha, por ajo që mbetet në pjatë për qytetarët është po e njëjta… groshë.
Imami, ndryshe nga politikanët, nuk po premtonte asgjë. Ai thjesht i vuri një pasqyrë groteske realitetit të fushatës shqiptare, ku çdo katër vjet, populli ushqehet me fjalë të mëdha, ndërsa realiteti i përditshëm mbetet po ai: emigracion, papunësi, çmime të larta, pasiguri ushqimore dhe një sistem që funksionon vetëm për ata që janë në pushtet.
Nëse i dëgjon fushatat elektorale, Shqipëria është vendi i ëndrrave. Nëse i sheh realitetin, e kupton se ky vend i ëndrrave funksionon vetëm për ata që ulen në kolltukët e pushtetit, ndërsa populli… ha groshë, por të paktën këtë herë me një lugë të shndritshme.
Faleminderit, imam Dorzi, që e the atë që të gjithë e dimë, por pak guxojnë ta thonë!
E vërteta është se shqiptarët i kanë dëgjuar këto premtime që prej fillimit të viteve 90-të, kur e ardhmja europiane ishte pas dere. Sot jemi në vitin 2025 dhe dera e Europës ka mbetur e mbyllur, por për fat të mirë kemi një lugë floriri me të cilën mund të hamë premtimet boshe që na servirin çdo katër vjet.
Pra, mos u shqetësoni, shqiptarë! Jeta luksoze është vetëm 43 ditë larg! Më 12 maj, mjafton të hapni sytë dhe do të zgjoheni në një Shqipëri të re, ku të gjithë do të hanë me lugë floriri… vetëm se përmbajtja e pjatës, siç tha besimtari, do të mbetet e njëjta: groshë.