Gazetari Flamur Vezaj në një publikim të fundit ka kritikuar ashpër klasën politike në Shqipëri duke e quajtur fushatën politike një "fushatë turpi". Sipas tij, fushata është më shumë një shfaqje argëtuese në rrjetet sociale sesa një debat mbi politikat konkrete për të ardhmen e vendit. Ai akuzon kryeministrin për mungesë të rezultateve dhe për dështimin e premtimit për ujë 24 orë, ndërsa opozita gjithashtu nuk shpëton nga kritikat.
Për Bashën autori i referohet si një figurë që ka ngjitur majat e politikës nën hijen e Berishës dhe tani është në një rrethin vicioz të humbjeve. Sali Berisha, sipas gazetarit, është një figurë që ende kërkon votat e një brezi të ri, edhe pse shumë prej tyre nuk e kanë përjetuar periudhën e tij si lider.
Po Sali Berisha? Ky që në 1991 “solli lirinë”, por çuditërisht s’po na lë të çlirohemi as sot. Pas 34 vitesh, ende kërkon votën e atyre që kanë lindur pasi ai u bë pjesë e politikës. Po me çfarë premtimi? Të largohet Rama! Kaq! Mos ndoshta i kthehet refrenit të vjetër “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ndërkohë që Evropa po largohet çdo ditë nga vetja!!!
"E Basha? Ky është kthyer në një “legjendë” të humbjeve. Do mbahet mend si njeriu që ngjiti majat e politikës duke mbajtur xhaketën e Berishës, por më pas besoi se kishte më shumë vlerë se sa realisht kishte. Ky është ai që blindoi selinë e PD-së, futi militantët e vet në sherr me bishta kazme, dhe tani kërkon votën me pretendimin se është “ndryshimi”. Më shumë sesa një kandidat, duket si një eksperiment politik që nuk ka fund."
Po ashtu ai kritikon edhe Ilir Metën, i cili ndodhet në burg dhe se pret të kthehet në politikë pas dënimit të tij.
"Nga burgu, Ilir Meta vazhdon stërvitjen me shtanga, pa rrjete sociale, por me një “bllok” akuzash mbi supe! Ndoshta po përgatitet për ringun politik pas dënimit, sepse e di që në Shqipëri gjithmonë ka një rikthim për të vjetrit."
Një tjetër pjesë e artikullit adreson partitë e vogla, që janë konsideruar të paafta për të ofruar ndryshimin, dhe se ato nuk do të jenë në gjendje të mbajnë votat e tyre.