Banorët e fshatit Blacë, në rrethin e Pogradecit, po përballen prej tre vitesh me një problem serioz në infrastrukturën rrugore. Gjatë punimeve për ujësjellësin e disa fshatrave, rrugët e fshatit, të cilat ishin të asfaltuara dhe në gjendje të mirë, u dëmtuan, por ende nuk janë riparuar.
Sipas banorëve, punimet u kryen nga firma “Curri shpk”, e cila nuk ka marrë masa për të riparuar rrugën. Nga Bashkia u është thënë se rruga do të shtrohet pasi të bëhen kanalizimet e ujërave të zeza, por kjo pritje ka zgjatur shumë dhe rruga po përkeqësohet. Banorët ankohen se dëmtimet e rrugës po u kushtojnë shtrenjtë, pasi makinat dëmtohen shpesh dhe detyrohen t’i çojnë në servis çdo dy javë.
Ata kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme dhe u bëjnë thirrje institucioneve përkatëse të ndërhyjnë dhe të mos i lënë më në hije.
Mesazhi i qytetarit:
“Jam banor i fshatit Blacë, të rrethit Pogradec. Rreth tre vjet më parë u bë një investim për ujësjellësin e disa fshatrave, përfshirë këtu edhe fshatin tonë. Nga ky investim u çanë rrugët që ishin të asfaltuara dhe në gjendje shumë të mirë. Megjithatë, që nga ajo kohë, rrugët vazhdojnë të jenë të çara, madje janë përkeqësuar.
Firma që realizoi punimet ishte firma Curri shpk, por nuk ka marrë masa për të riparuar dëmtimet e rrugës, të cilat zakonisht janë pjesë e preventivit në investime të tilla.
Kemi pyetur në Bashki dhe na kanë thënë se rruga do të shtrohet kur të bëhen kanalizimet e ujërave të zeza, gjë që nuk ka logjikë, nëse fondi ka pasur të përfshirë edhe riparimin e rrugës.
Këto janë disa nga fotot e gjendjes së rrugës. Është bërë shumë problem për makinat, pasi çdo dy javë i çojmë në servis.
Ju lutemi, publikojeni, sepse vetëm te ju i mbajmë shpresat. Me këtë qeveri të papërgjegjshme nuk kemi zgjidhje, vetëm vjedhje.”