Sipas një raporti të Bankës Botërore, ndotja e ajrit është një problem i madh global që shkakton rreth 5.7 milionë vdekje çdo vit, ku 95% e tyre ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Raporti, i titulluar "Përshpejtimi i aksesit në ajër të pastër në një planet të jetueshëm", thekson se ndotja e ajrit ka një ndikim të rëndësishëm ekonomik, duke shkaktuar humbje që arrijnë deri në 5% të PBB-së globale. Këto humbje vijnë nga ndikimi negativ në shëndetin e njerëzve, ulja e produktivitetit dhe reduktimi i jetëgjatësisë.
Sipas raportit, një qasje e integruar ndaj këtij problemi, si hartimi i politikave që përmbushin njëkohësisht disa objektiva për shembull, reduktimi i emetimeve dhe rritja e pavarësisë energjetike mund të përgjysmojë numrin e njerëzve që ekspozohen ndaj niveleve të rrezikshme të ndotjes deri në vitin 2040.
Raporti thekson se shumica e ndotjes së ajrit të jashtëm në botë shkaktohet nga aktivitetet njerëzore. Sektore si bujqësia, zhvillimi urban, transporti, industria, gatimi dhe ngrohja shtëpiake kontribuojnë ndjeshëm në këtë problem. Për këtë arsye, ndryshimet e politikave në këto fusha mund të ndihmojnë në reduktimin e grimcave të dëmshme në ajër.
Gjithashtu, Banka Botërore thekson rëndësinë e sistemeve të sakta dhe transparente të monitorimit të cilësisë së ajrit, si dhe vlerësimin e efektivitetit të politikave. Masa të tilla, të kombinuara me politika që synojnë reduktimin e ndotjes dhe pavarësinë energjetike, mund të jenë një zgjidhje efikase dhe me kosto të ulët.
Sipas vlerësimeve, përfitimet ekonomike të politikave të menaxhimit të integruar të ndotjes mund të arrijnë deri në 2.4 trilion dollarë deri në vitin 2040.