Kafja po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë, a do të kthehet në luks për shqiptarët?

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 29.03.2025, 12:12

Çdo mëngjes, miliarda njerëz në mbarë botën e nisin ditën me një filxhan kafeje, por ky ritual i përditshëm po bëhet gjithnjë e më i kushtueshëm.

Kriza e prodhimit të kafesë

Kolumbia, Brazili dhe Vietnami tre prodhuesit më të mëdhenj të kafesë në botë po përballen me sfida të mëdha. Ndryshimet klimatike, me temperatura të larta dhe reshje të paqëndrueshme, po dëmtojnë ndjeshëm bimët e kafesë. Studimet parashikojnë se deri në vitin 2050, gjysma e tokave të përshtatshme për kultivimin e kafesë mund të zhduken.

Përveç kushteve atmosferike, fermerët po luftojnë edhe me sëmundje si “La Roya” një lloj ndryshku i gjetheve që ka shkatërruar deri në 50% të prodhimit në disa rajone të Amerikës Latine. “Dikur një pemë kafeje prodhonte qindra kokrra. Tani mezi nxjerrim gjysmën,” – thotë për DW Cristian Cano, kultivues kafeje në Kolumbi.

Rritja e çmimeve dhe ndikimi në treg

Këto sfida kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregun botëror. Vetëm në vitin 2024, çmimi i varietetit Arabica u rrit me 80%, duke shënuar një nga rritjet më të mëdha në dekada.

Në Shqipëri, kafeja është më shumë se një pije ajo është një traditë dhe pjesë e jetës së përditshme. Megjithatë, çmimet po rriten ndjeshëm, duke ngritur pyetjen: A po bëhet kafeja një luks?

Pse po rriten çmimet në Shqipëri?

Sipas Enri Jahajt, kryetar i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Shqipëria ka funksionuar për vite me një treg anormal të kafesë, pasi nuk është prodhuese apo pjekëse e madhe e saj. “Shumica e kafesë që përdoret këtu është e importuar. Për vite me radhë, çmimi ka qenë më i lirë se në vendet e rajonit, por kjo nuk ishte e qëndrueshme. Tani, me rritjen e pagave dhe taksave, bizneset janë të detyruara të përshtatin çmimet për të përballuar kostot,” – shpjegon ai.

Sa është rritur dhe sa pritet të rritet çmimi?

Brenda një viti, çmimi i kafesë është rritur me 20% dhe pritet të rritet me 20% të tjera. Në Tiranë, një filxhan kafeje kushton mesatarisht 90-130 lekë, ndërsa në zonat elitare arrin deri në 150 lekë. Parashikimet tregojnë se gjatë muajve të ardhshëm, çmimi minimal pritet të shkojë në 120 lekë.

A do të mbetet kafeja një kënaqësi e përditshme për shqiptarët apo do të kthehet në luks? Për momentin, ajo vazhdon të jetë pjesë e kulturës, por nëse çmimet vazhdojnë të rriten me të njëjtin ritëm, një filxhan kafeje mund të mos jetë më aq i përballueshëm sa dikur.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit