Në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialdemokrate (PSD) të Tom Doshit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka identifikuar 15 emra të dënuar me ligj për vepra të ndryshme penale për shkak se kanë pasur probleme me drejtësinë. Sipas ligjit shqiptar, këta të fundit konsiderohen “të rehabilituar”.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, PSD-ja e drejtuar nga Tom Doshi do të garojë me 186 kandidatë, duke regjistruar numrin më të lartë të kandidatëve të saj në 12 vitet e fundit. Megjithatë, shumica e tyre nuk kanë një profil publik apo angazhim aktiv në rrjetet sociale.
Nga 186 kandidatët e Doshit, vetëm 10 kanë shpërndarë përmbajtje të lidhura me PSD-në dhe liderin gjatë fushatës, ndërsa 31 nuk kanë postuar asnjë material, 29 janë tërësisht joaktivë në rrjete sociale, dhe pjesa tjetër nuk ka fare një llogari ose ndan vetëm postime familjare.
Një nga kandidatët e PSD-së është edhe Flori Tomçini, i cili më parë është gjykuar në Itali dhe Greqi. Ky i fundit ka qenë i gjykuar nga gjykata e Peruxhias në Itali në vitet 2015-2016 arsye për të cilat thotë se nuk i mban mend.
Tomçini bëhet aktiv në rrjetet sociale vetëm gjatë fushatave zgjedhore, ku shpesh shfaqet në foto me kryetarin e PSD-së, Tom Doshi. Më parë, ai ka kandiduar për anëtar të Këshillit Bashkiak në Dibër në vitin 2022 dhe tashmë është pjesë e listës për deputetë në zgjedhjet e 2025-ës.
Përfshirja e këtyre emrave në listat e kandidatëve ngre pikëpyetje mbi filtrat e pastërtisë së figurës në politikën shqiptare, ndërsa PSD-ja synon të maksimizojë përfaqësimin e saj në Kuvend.