Më 11 mars 2025, autoritetet shqiptare zbuluan një ngarkesë prej 18.3 ton mish pule të importuar nga Brazili në Portin e Durrësit, të cilat pas analizave të kryera nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV), u konstatua se përmbanin prani të rrezikshme të bakterit Salmonella.
Por, në vend që të ndërmerreshin masa urgjente, vetëm 5.2 ton u bllokuan , ndërsa rreth 13.1 ton, fileto të infektuara, u shpërndanë në treg pa asnjë paralajmërim apo masë parandaluese.
Në qendër të këtij skandali qëndron kompania AMG FOOD (diMal shpk), e drejtuar nga Mondi Goxha, e cila shpërndau mish të kontaminuar me vetëdije, duke rrezikuar shëndetin e mijëra qytetarëve.
Kjo kompani, e krijuar në vitin 2019, ka merret me shpërndarjen e produkteve të tjera si gyros, mish derri, peshk dhe fruta deti, si dhe akullore të markës “Algida”.
Përveç rrezikut të drejtpërdrejtë për shëndetin e konsumatorëve, ky skandal ka nxjerrë në pah një problem më të madh: keqmenaxhimin dhe abuzimin me burimet financiare të ofruara për përmirësimin e sigurisë ushqimore.
Në korrik të vitit 2021, Agjencisë për Zhvillim Rural dhe Bujqësor (AZHBR), nëpërmjet programit IPARD dha fonde për ngritjen e tre fabrikave të reja moderne përpunimi.
AMG FOOD është një nga përfituesit e fondeve të programit IPARD, ku ka marrë 4 milionë euro për investime në përpunimin e produkteve të mishit.
Asokohe, kryeministri Edi Rama dhe drejtoresha e AHZBR, Frida Krifca, thanë se këto fabruka do të rrisin kapacitet përpunuese e do t’i japin një shtysë së re tregut në vend, por edhe eksporteve dhe cilësisë ushqimore.
Por ky skandal i zbuluar rishtazi tregon se këto investime nuk duket se kanë shkuar në drejtimin e duhur, pasi kompania ka shpërndarë produkte të kontaminuara, duke dëmtuar besimin e konsumatorëve dhe duke rrezikuar jetën e qytetarëve. Ky është një shembull alarmant i dështimit të sistemit të kontrollit dhe një pasqyrë e keqmenaxhimit të fondeve publike, që për fat të keq janë përdorur për të mbështetur një kompani që ka treguar papërgjegjshmëri të plotë në menaxhimin e produkteve ushqimore.
Skandali i mishit të kontaminuar me Salmonella kërkon një hetim të menjëhershëm dhe një veprim të shpejtë nga autoritetet kompetente, përfshirë SPAK, për të ndëshkuar përgjegjësit dhe për të garantuar që një ngjarje e tillë të mos përsëritet. Po ashtu, ky incident hedh dritë mbi rëndësinë e një kontrolli më të rreptë dhe një mbikëqyrjeje të vazhdueshme për të siguruar që produktet ushqimore të plotësojnë standardet e sigurisë dhe cilësisë.
Mungesa e masave të duhur dhe e transparencës në këtë rast ka rrezikuar jetën e qytetarëve dhe ka dëmtuar rëndë reputacionin e industrisë ushqimore në Shqipëri.
Në këtë kontekst, ky skandal shton shqetësimet për rreziqet e mundshme që konsumatorët shqiptarë mund të përballen çdo ditë, ndërkohë që Shqipëria kërkon të integrohet në Bashkimin Europian. Si mund të pretendojmë të arrijmë standardet e BE-së kur siguria ushqimore dhe mbikëqyrja e tregut janë në nivel kaq të ulët? Ky është një pyetje që kërkon përgjigje dhe veprim urgjent nga autoritetet, për të rivendosur besimin e qytetarëve dhe për të mbrojtur shëndetin publik.