Skandali i importit të mishit të kontaminuar nga kompania e Mond Goxhës thellohet edhe më tej, pasi analizat laboratorike kanë konfirmuar praninë e një prej baktereve më të rrezikshme për shëndetin e njeriut: Salmonella Typhimurium.
Ky bakter, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), është një patogjen enterik që shkakton infeksione të rënda tek njerëzit dhe kafshët, duke prekur direkt sistemin tretës dhe duke sjellë pasoja të rënda shëndetësore.
Nga të dhënat e fundit, rezulton se mbi 18 tonë fileto pule e ngrirë e importuar nga Brazili ka hyrë në tregun shqiptar për konsumatorët, duke përbërë një kërcënim serioz për shëndetin publik. Mishi u shpërnda në marketet dhe dyqanet në të gjithë vendin, pa asnjë paralajmërim për rrezikun e madh që përmbante.
Salmonella Typhimurium është një ndër shkaktarët kryesorë të etheve tifoide, një sëmundje e cila prek miliona njerëz në vit dhe ka një shkallë të lartë vdekshmërie. Sipas statistikave të OBSH-së, çdo vit ka rreth 9 milionë raste të etheve tifoide, me 110,000 vdekje si pasojë e infeksionit.
Bakteri Salmonella Typhimurium është jashtëzakonisht i rrezikshëm, sidomos për fëmijët, të moshuarit dhe personat me sistem imunitar të dobësuar. Konsumimi i mishit të kontaminuar mund të shkaktojë temperaturë të lartë të zgjatur, lodhje ekstreme dhe dhimbje koke, nauze, dhimbje barku dhe çrregullime gastrointestinale si kapsllëk ose diarre, skuqje të lëkurës, krruajtje dhe ethe. Në rastet më të rënda, infeksioni mund të përparojë dhe të shkaktojë ndërlikime të rrezikshme si septicemia, e cila mund të çojë në vdekje.
Në vend që të vepronin me urgjencë për të mbrojtur jetën e qytetarëve, institucionet shtetërore si Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) dhe Ministria e Shëndetësisë kanë zgjedhur të heshtin. AKU nuk nxori asnjë paralajmërim për konsumatorët për të mos blerë apo konsumuar mishin e kontaminuar, nuk dha asnjë urdhër për tërheqjen e produktit nga tregu dhe nuk mori asnjë masë për të parandaluar një katastrofë të mundshme shëndetësore.