Pasi lejoi Mond Goxhën të shiste fileto me salmonelë, Anila Denaj shtron Iftar me “dorë në zemër”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 28.03.2025, 20:40

Në një Shqipëri ku siguria ushqimore është një lojë fjalësh dhe institucionet shtetërore mbyllin sytë përballë skandaleve, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, shfaqet e qeshur dhe me dorën në zemër në një iftar luksoz me mbështetësit e saj. Ndërkohë që qytetarët konsumuan fileto pule të infektuara me salmonelë, të importuara nga kompanitë e Mond Goxhës, ministrja që ka për detyrë të mbrojë shëndetin e konsumatorëve vazhdon aktivitetet mondane, sikur asgjë të mos ketë ndodhur.

Në vend që të kërkonte përgjegjësi dhe ndëshkim për ata që sollën mbi 18 tonë mish të kontaminuar në tregun shqiptar, të niste hetime të plota për abuzimet me sigurinë ushqimore, apo të sqaronte publikun mbi rrezikun e madh që iu shkaktua, Denaj zgjedh të shfaqet e relaksuar në ambiente luksoze.

Dora në zemër mund të jetë një gjest mirësie, por për qytetarët që konsumuan mishin e helmuar është një fyerje e hapur. AKU, institucion që ndodhet nën varësinë e Ministrisë së Bujqësisë, u tregua skandalozisht i paaftë për të parandaluar përhapjen e mishit të kontaminuar dhe, edhe pasi u konfirmua prania e bakterit Salmonella Typhimurium, nuk informoi publikun me kohë dhe nuk ndaloi shpërndarjen e produktit.

Në një vend normal, një skandal i tillë do të kishte sjellë dorëheqje, arrestime dhe përgjegjësi penale, por në Shqipëri gjithçka mbyllet me një darkë të shtruar dhe një foto të bukur për rrjetet sociale. Qytetarët ndërkohë mbeten të ekspozuar ndaj produkteve të rrezikshme, ndërsa përgjegjësit festojnë pa asnjë shqetësim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit