Mond Goxha i ALGIDA e DIMAL, biznesmeni që helmoi shqiptarët me 18 ton fileto me salmonelë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 28.03.2025, 19:35

Një skandal i rëndë ka tronditur tregun shqiptar të ushqimeve, pasi kompania AMG FOOD ka importuar dhe shpërndarë në treg një sasi të madhe të mishit të kontaminuar me salmonelë. Përgjegjës për këtë situatë të rrezikshme është biznesmeni Mond Goxha, pronar i kompanive AMG FOOD dhe DIMAL INC, i cili ka lejuar me vetëdije që 18 tonë fileto pule të infektuara të shiten në tregun shqiptar, duke vënë në rrezik shëndetin e mijëra qytetarëve.

Më 11 mars, në Portin e Durrësit mbërriti ngarkesa prej 18.3 tonë fileto pule të ngrirë nga kompania AMG Food, e cila tregton produktet nën markën DIMAL. Inspektorët e AKU-së morën një mostër dhe e dërguan për analizë në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) më 12 mars. Deri këtu, procedura dukej normale.

Por çfarë ndodhi më pas? Sipas rregullave, mishi duhej të izolohej deri në daljen e analizave, por AKU nuk ushtroi asnjë kontroll për të siguruar që kompania DIMAL nuk e nxirrte produktin në treg.

Përgjigjja e analizave doli më 21 mars, duke konfirmuar se filetot ishin të kontaminuara me salmonelë, një bakter i rrezikshëm për shëndetin e njeriut. Kur inspektorët e AKU-së shkuan për të bllokuar produktin, zbuluan se një pjesë e madhe ishte shitur tashmë! 13.1 tonë fileto me salmonelë ishin shpërndarë nëpër supermarkete dhe dyqane në të gjithë vendin. Vetëm 5.2 tonë u bllokuan, por pjesa tjetër kishte arritur në tryezat e konsumatorëve.

Në vend që të alarmonte konsumatorët për të mos blerë dhe konsumuar fileton e pulës së infektuar, AKU heshti për një javë të tërë! Asnjë njoftim për qytetarët për të shmangur blerjen e mishit të rrezikshëm. Asnjë urdhër për marketet dhe bizneset që të tërhiqnin produktin nga raftet. Asnjë transparencë mbi emrin e kompanisë përgjegjëse për skandalin. Asnjë shpjegim përse nuk u monitorua izolimi i mishit deri në daljen e analizave.

AKU u mjaftua vetëm me një njoftim të përgjithshëm, ku deklaronte se kishte referuar çështjen në Prokurorinë e Tiranës për "mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë". Por pa përmendur emrin e kompanisë përgjegjëse!

Burime brenda AKU kanë zbuluar se kompania DIMAL jo vetëm që lejoi shitjen e mishit të ndotur, por edhe falsifikoi faturat tatimore. AMG Food deklaronte sasi të ndryshme nga ato që importonte, duke e bërë të vështirë gjurmimin e produkteve. Kryetari i Urdhrit të Veterinerëve, Ervin Resuli, ka denoncuar publikisht se sasia e mishit të infektuar mund të ketë qenë edhe më e madhe, deri në 27 tonë!

Edhe pas shpërthimit të skandalit, mishi i kontaminuar vazhdonte të shitej në treg! Burime nga AKU në Vlorë konfirmojnë se më 22 mars, inspektorët gjetën dhe sekuestruan fileto pule me salmonelë të DIMAL në supermarkete dhe dyqane.

Pyetja që ngrihet është: Sa qytetarë kanë konsumuar mish të kontaminuar, duke rrezikuar helmimin dhe probleme serioze shëndetësore, ndërkohë që AKU heshti?

Deri më tani, skandali është referuar në Prokurorinë e Tiranës, por mbetet e paqartë nëse drejtësia do të veprojë seriozisht. Mond Goxha dhe kompania DIMAL duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë krim ushqimor. AKU duhet të hetohet për mosveprim dhe mbulim të skandalit.

Në një vend ku siguria ushqimore shpesh neglizhohet dhe qytetarët trajtohen si "kavie eksperimentale", ky rast duhet të shërbejë si një thirrje urgjente për transparencë dhe drejtësi. Por a do të ndëshkohen fajtorët, apo edhe ky skandal do të mbyllet në heshtje?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit