Siguria ushqimore në Shqipëri ka shënuar një tjetër alarm të rëndë, pasi 15,000 kg mish pule i kontaminuar me salmonelë ka përfunduar në tryezat e konsumatorëve. Skandali ka ekspozuar dështimin e AKU-së në kontrollin e produkteve të importuara, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve.
Më 11 mars 2025, në Portin e Durrësit është importuar 19,000 kg mish pule nga Brazili, me afat skadence më 13 dhjetor 2026.
Në bazë të procedurave standarde, inspektorët e AKU-së duhet të marrin mostra dhe të presin rezultatet e analizave përpara se produkti të dalë në treg. Por në këtë rast, mishit iu dha leje për shpërndarje pa pritur analizat, duke shkelur rregullat e sigurisë ushqimore.
Rezultatet e analizave, të cilat dolën me pesë ditë vonesë, konfirmuan praninë e salmonelës në mishin e importuar. Por, në vend që të ndalonte shpërndarjen, AKU nuk ndërmori asnjë veprim të menjëhershëm, duke bërë që 15,000 kg mish i infektuar të shitej dhe të konsumohej.
Vetëm 4,000 kg mish u bllokuan, ndërsa pjesa tjetër përfundoi në markete, supermarkete dhe restorante, duke ekspozuar konsumatorët ndaj një rreziku të madh shëndetësor.
AKU tentoi të minimizonte skandalin duke e fshehur skandalin nga mediat dhe duke mos njoftuar konsumatorët. Inspektorët urdhëruan tërheqjen e produktit nga tregu, por vonesa në këtë proces bëri që shumica e mishit të ishte tashmë e konsumuar.
Mishi është importuar nga kompania A.M.G me pronar Mondi Goxha. I njëti person ka në zotërim fabrikën e sallamit Di Mal në Shqipëri, duke ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë ushqimore në sektorë të tjerë të tregut.
Ndërkohë që kryetari i AKU-së, Manush Kullolli, nuk ka dhënë asnjë sqarim për këtë situatë, dyshimet për lidhje mes inspektorëve dhe biznesmenëve po forcohen.
Skandali ka nxjerrë në pah mungesën e transparencës, kontrollet e dobëta dhe manipulimin e rregullave të sigurisë ushqimore.
Ky rast është një tjetër dështim i rëndë i AKU, që po lejon produkte të rrezikshme të qarkullojnë në treg, teksa konsumatorët mbeten viktima të neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë institucionale.