Banorët e fshatit Baks-Rrjoll në Velipojë u mblodhën sot përpara ambienteve të SPAK për të protestuar kundër projektit të fshatit turistik “Blue-Borgo”, të iniciuar nga oligarku Bashkim Ulaj, të cilin e akuzojnë për përvetësimin e tokave të tyre.
Pas përplasjes me policinë gjatë protestave në pronat e tyre, banorët zhvendosën protestën përpara prokurorisë, ku dorëzuan një kallëzim penal kundër Ulajt. Ata kërkojnë që ndërtimi i projektit të ndalohet dhe të respektohen të drejtat dhe interesat e tyre.
“Bashkim Ulaj nuk ka asnjë shans të futet aty. Nuk kemi ardhur për të bërë luftë apo për t’u përplasur me policinë; kemi ardhur për transparencë dhe për t’i treguar shtetit shqiptar se çfarë kriminelësh ka këtu. Për fshatarët nuk ka bashki,” deklaroi një prej banorëve.
Fshati turistik, që përfshin vila dhe hotele luksoze, planifikohet të ndërtohet në kufirin mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër, duke zënë një sipërfaqe prej 147.2 hektarësh.
Banorët kanë protestuar gjatë gjithë javës, duke u përballur me forcat e policisë që mbronin interesat e Bashkim Ulajt. Tensionet mbeten të larta, ndërsa banorët vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe transparencë mbi projektin e diskutueshëm.