Një restorant peshku pranë Liqenit të Thatë në Tiranë akuzohet nga banorët e zonës për bllokimin e përditshëm të rrugës nga makinat e klientëve, ndërsa policia, në vend që të ndërhyjë, mbyll sytë dhe nuk vendos gjoba. Banorët e zonës janë të indinjuar dhe pretendojnë se efektivët korruptohen me ushqim nga restoranti, ndaj refuzojnë të marrin masa.
Një qytetar ka denoncuar hapur situatën, duke ironizuar se “Shteti s’ka fuqi, ha karkaleca se ua japin në mes të ditës dhe nuk e vrasin trurin.” Ai shprehet se makinat që parkojnë çdo ditë para restorantit shkaktojnë bllokim total të rrugës, veçanërisht në oraret e pikut, duke u bërë makth për banorët.
“Nuk po dalim, nuk po hymë dot në shtëpi. Policia e Shtetit le Beethovenin në sfond dhe nuk hap telefonin!” – shton qytetari, duke kritikuar indiferencën e autoriteteve.
Sipas tij, policia e ka parë situatën disa herë, por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret për të ndëshkuar shkelësit. “Mbushin gjoba aty ku u leverdis, por këtu s’guxojnë të prekin makinat e klientëve të restorantit,” denoncon ai.
Kjo situatë, e cila përsëritet çdo ditë, ka shkaktuar zemërim tek banorët, të cilët kërkojnë masa të menjëhershme nga autoritetet për t’i dhënë fund kaosit. Ata pyesin publikisht: “Ku mund të ankohemi që ky problem të marrë fund njëherë e mirë?”
A do të reagojë Policia e Shtetit apo karkalecat janë më të fortë se ligji?
"Pershendetje JOQ! Këtu te Liqeni i Thatë në Tiranë, tek ky restoranti klientët parkojnë keq përditë dhe bllokojnë rrugën. Policia e zonës nuk po e zgjidh dot situatën, ka 30 minuta që është aty. Bllokimin e shkaktojnë makinat e restorantit që parkohen çdo ditë aty kur hanë, gjë që nuk lejohet. Shteti s’ka fuqi, ha karkaleca se ua japin në mes të ditës dhe nuk e vrasin trurin. Mbush gjobat me nga 10 mijë lekë, se gjoja kjo është zgjidhja? Nuk po dalim, nuk po hymë dot në shtëpi çdo ditë. Policia e Shtetit, lë Beethovenin në sfond dhe nuk hap telefonin! Kjo ndodh çdo ditë deri në fund të rrugës, parkohen anës rrugës dhe në orarin e pikut gjithçka bllokohet. Shteti s’mban përgjegjësi fare. Ku të ankohemi?"