Jo vetëm emigrojnë, rritet numri i shqiptarëve që heqin dorë nga shtetësia

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 27.03.2025, 15:29

Jo vetëm emigrimi, por edhe braktisja e shtetësisë shqiptare po bëhet një fenomen në rritje. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, gjatë vitit të kaluar, afro 900 shtetas shqiptarë hoqën dorë nga nënshtetësia e tyre, duke shënuar kështu numrin më të lartë të regjistruar ndonjëherë.

Krahasuar me vitin 2023, ky tregues ka shënuar një rritje prej 6%, duke konfirmuar prirjen në rritje të qytetarëve që zgjedhin të braktisin pasaportën shqiptare.

Një ndër arsyet kryesore që qëndron pas këtij fenomeni është kërkesa për të hequr dorë nga shtetësia e mëparshme në disa vende ku shqiptarët emigrojnë. Për të përfituar pasaportën e një shteti tjetër, e cila u mundëson akses më të lehtë në të drejta sociale, punësim apo lëvizje pa kufizime, shumë shqiptarë detyrohen të heqin dorë nga shtetësia shqiptare.

Të dhënat e Ministrisë së Brendshme tregojnë se gjatë dekadës së fundit, rreth 6,500 qytetarë shqiptarë kanë hequr dorë në mënyrë zyrtare nga shtetësia e tyre. Analizat demografike tregojnë se shumica e tyre janë të rinj, kryesisht të moshës 15–35 vjeç. Sipas Institutit të Statistikave, kjo grupmoshë përbën më shumë se gjysmën e qytetarëve që janë larguar nga vendi dhe kanë aplikuar për të jetuar dhe punuar jashtë.

Ndërkohë, të dhënat e EUROSTAT-it tregojnë se në 20 vitet e fundit, mbi 521 mijë shqiptarë kanë marrë shtetësinë e një prej vendeve të Bashkimit Europian. Ky trend tregon ritmet e larta të emigracionit dhe integrimit të shqiptarëve në shoqëritë europiane, shpesh duke sakrifikuar shtetësinë e tyre të origjinës për një të ardhme me më shumë mundësi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit