Një vit pas ngjarjes tragjike që tronditi qytetin e Jesolos në Itali, autoritetet kanë arritur të zbardhin një krim të rëndë të ndodhur më 5 mars 2024.
Roberto Basso, 65 vjeç, një tregtar duhani që jetonte i vetëm, u vra në banesën e tij. Pas një hetimi të gjatë, policia ka arrestuar si të dyshuar 36-vjeçarin shqiptar, Leonard Shehu, i cili akuzohet për vrasje, sipas raportimeve të mediave vendase.
Shehu u ndalua nga Karabinierët e Venecias më 24 mars 2025, pas një periudhe hetimore që zgjati 11 muaj. Sipas autoriteteve, krimi dyshohet se ka pasur si motiv grabitjen e banesës, e cila përfundoi në një akt fatal.
Dyshohet se Leonard Shehu ka hyrë në shtëpinë e viktimës me synimin për të vjedhur, por, pasi është befasuar nga Basso, ka reaguar me dhunë, duke e goditur atë në kokë me një send të mprehtë. Ekspertiza ka zbuluar gjurmë të ADN-së së Shehut në vendin e ngjarjes, duke forcuar dyshimet mbi përfshirjen e tij.
Gjithashtu, ai është përgjuar teksa i kërkonte gruas së tij të konfirmonte një alibi për natën e krimit. Në seancën e konfirmimit të masës, prokurori Giovanni Zorzi e ka akuzuar për vrasje me dashje, ndërsa gjykatësi ka urdhëruar mbajtjen e tij në paraburgim.