Fatbardha Hysi, nëna e 43-vjeçarit me aftësi ndryshe, Fabjol Hysi, i cili u dhunua brutalisht nga dy të rinj pak ditë më parë në Lushnjë, ka treguar se i biri është ende në reanimacion dhe i intubuar në spitalin e Traumës në Tiranë.
Ajo ka rrëfyer se Fabjoli kishte nisur të shkonte në xhami gjatë kësaj periudhe, pasi agjëronte dhe aty konsumonte iftarin. Sipas saj, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:20, ndërsa ende nuk e ka të qartë motivin, por dyshon se dy autorët, Enea Korreshi, 17 vjeç, dhe Irdi Nasufi, 20 vjeç, mund ta kenë ngacmuar dhe bullizuar djalin e saj. Fatbardha Hysi shprehet se Fabjoli nuk ka reaguar gjatë dhunës, pasi, sipas saj, nëse do të ishte përgjigjur, edhe dy të rinjtë e tjerë do të ishin lënduar.
Ndër të tjera, ajo tha se njeh vetëm familjen e 17-vjeçarit, por deri më tani askush nga ta nuk i ka kërkuar ndjesë për atë që ka ndodhur.
“Fabjoli është në reanimacion, i intubuar. Mjekja që e operoi më tha se do t’i heqin tubin, do t’i zvogëlojnë ilaçet për të parë se si do të reagojë. Sot do fillojnë ta monitorojnë për të parë gjendjen e tij. Ai nuk ka pasur probleme me fëmijët, nuk është bullizuar. Është operuar në Greqi kur ishte 15 vjeç, ka vuajtur shumë. Vetëm në kokë të mos e kishin goditur... Ka shokë, ka ndihmuar edhe në Radio Lushnja. Nuk ka qenë i bullizuar.”
Ajo shpjegoi se Fabjoli shkonte çdo ditë në xhami për të konsumuar iftarin dhe se natën e ngjarjes kishte dalë i vetëm. “Ora ishte 20:20. Ata rrinë aty, ai kishte dalë vetëm atë natë. Nuk e di nëse i njihte, ata janë adoleshentë. Nuk njoh asnjërin prej tyre, përveç atij me mbiemrin Korreshi. Atë tjetrin nuk e njoh. Nuk jetojmë në të njëjtën lagje, kemi 18 vite që jemi larguar. Ata nuk kanë qenë pjesëmarrës në xhami.”
Ajo theksoi se i biri agjëronte dhe konsumonte iftarin në xhami, e cila ndodhet rreth 100 metra larg kryqëzimit. Sipas saj, Fabjoli ka vështirësi në dëgjim dhe të folur, ka ndjekur shkollën 8-vjeçare në medrese dhe është i aftë të lëvizë pa probleme. “Nuk e di çfarë ka ndodhur, asnjë konflikt nuk ka pasur. Mendoj se ata e kanë ngacmuar dhe bullizuar.”
Fatbardha Hysi tha se i biri nuk është kundërpërgjigjur gjatë dhunës: “Po të ishte përgjigjur, ata do të ishin lënduar rëndë. Policia duhet të pyesë në shkolla për ta, të mësojë si sillen me shokët, si janë ata fëmijë. Njëri është në vitin e dytë të gjimnazit, për tjetrin nuk e di. Policia nuk na ka thënë ende asgjë. Do të shkoj të bëj kallëzim, sepse nuk di asgjë.”
Në lidhje me familjen e 17-vjeçarit, ajo u shpreh se askush prej tyre nuk ka komunikuar me të. “Të paktën të më thoshin një ‘më fal’. Edhe unë nënë jam dhe e di çfarë janë problemet sociale te fëmijët. Ai minoreni ka dalë nga burgu. Familja e tij më njeh dhe do të doja që të më kishin ardhur. Nëna e tij është edhe mësuese. Për familjen e tjetrit nuk di asgjë”, tha Fatbardha Hysi.