Katër ditë pas sherrit në Kamëz ku dy kushërinj goditën me sende të forta 38-vjeçarin Redi Vata, policia ka ndaluar autorët e shpallur në kërkim.
Ata janë Marjo Boja 26-vjeç dhe Ersjon Boja 30-vjeç. Të dy kushërinjtë akuzohen për plagosjen e 38-vjeçarit në datën 24 mars në rrugën “OSBE” në Kamëz.
Të rinjtë i prenë rrugën me makinë Vatës që po udhëtonte me një automjet tip “Benz”, dhe dyshohet se e goditën me sende të forta.
Gjatë kontrollit në banesën e Marjo Bojës, policia gjeti një armë zjarri me leje dhe një sasi municioni luftarak, të cilat për momentin janë sekuestruar. Vetë Redi Vata nuk ka dhënë detaje për hetuesit në lidhje me shkakun e sherrit, por dyshimet me një konflikt banal se kush duhet të kalonte i pari në rrugë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 kapën shtetasit e shpallur në kërkim M. B., 26 vjeç dhe E. B., 30 vjeç, pasi më datë 24.03.2025, në Kamzë, për motive të dobëta, dyshohet se kanë goditur me sende të forta, shtetasin R. V.”- njofton policia.