Banorët e rrugës "Pjetër Budi", pranë liceut artistik në Tiranë, kanë denoncuar një situatë të rrezikshme që po i kërcënon ata dhe fëmijët e lagjes.
Sipas tyre, një grua me probleme mendore ka filluar të hedhë sende nga kati i gjashtë i pallatit, duke përfshirë karrige, pjata, bidona me ujë dhe tenxhere. Kjo ka shkaktuar dëme në makina dhe ka rrezikuar jetën e banorëve.
Sipas denoncuesve, situata është e përditshme dhe, megjithëse kanë kërkuar ndihmë nga autoritetet, policia është larguar pa ndërhyrë siç duhet apo njoftuar autoritetet përgjegjëse. Banorët shprehen të shqetësuar, pasi kjo grua jeton me dy prindërit e saj, dhe frikësohen se situata mund të përkeqësohet.
Ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përkatëse për të mbrojtur jetën e banorëve dhe fëmijëve që kalojnë çdo ditë në atë zonë, përfshirë ata që shkojnë në kopësht.
Banorët po kërkojnë ndihmë publikisht pasi deri më tani dyert e insitucioneve janë mbyllur dhe ata janë lënë në mëshirë të fatit.
Denoncimi:
Përshëndetje, Kemi vite që hasemi me këtë problem dhe ende nuk kemi marrë asnjë zgjidhje. Shpresat e vetme që kemi janë tek ju. Një grua me probleme mendore çdo ditë hedh sende nga kati i 6. Ajo ka dëmtuar makina dhe ka rrezikuar jetën e banorëve. Nëse ndodh ndonjë tragjedi, si do të veprojë shteti pasi dyert e denoncimeve na janë mbyllur? Objektet që ajo hedh përfshijnë karrige, pjata, bidona me ujë, tenxhere dhe i hasim këto probleme çdo ditë. Ajo jeton me dy prindërit e saj. Edhe pse policia vjen shpesh, ata largohen pa marrë asnjë masë.
Ju lutemi nxirreni që institucionet përkatëse të merren me këtë situatë. Sot morëm vendimin që ta ndanim këtë denoncim me ju, pasi kjo situatë po rrezikon jetën e fëmijëve që kalojnë aty dhe po shkojnë në kopësht. Faleminderit.