Kërcënoi dhe shtyu me duar arbitrin, Koço Kokëdhima vihet nën hetim

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 27.03.2025, 11:15

Presidenti i klubit të futbollit “FK Apolonia” për femra, Koço Kokëdhima, është proceduar penalisht pas incidentit të ndodhur gjatë ndeshjes mes Apolonisë dhe Gramshit në stadiumin “Loni Papuçiu”.

Kokëdhima ka hyrë në fushë dhe ka debatuar me arbitrin Dorjan Maletaj, duke e shtyrë me duar. Për këtë ngjarje, është nisur procedim penal ndaj Kokëdhimës, i akuzuar për veprën penale “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive”.

Ndeshja është ndërprerë për rreth 30 minuta dhe sipas rregullores së Federatës Shqiptare të Futbollit, duhej ndërprerë automatikisht, por për shkak të presioneve të shumta ndaj gjyqtarit, ky i fundit është detyruar ta rifillojë takimin.

Në fund Apolonia e ka fituar ndeshjen 1-0, ndërkohë që do të pritet vendimi i FSHF-së për të parë se cili do të jetë fati i këtij takimi.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. K., 65 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë President i “FK Apolonia”, për femra, për veprën penale “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive”, pasi ditën e djeshme, gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit FK Apolonia-FK Gramshi, ky shtetas ka hyrë në fushë, në stadiumin “Loni Papuçiu” dhe ka debatuar e shtyrë me duar arbitrin e ndeshjes, shtetasin D. M. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit