Një incident i paprecedentë ka ndodhur sot në Fier gjatë ndeshjes së kampionatit të femrave mes Apolonisë dhe Gramshit.
Presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima, ka hyrë në fushë gjatë lojës për të protestuar ndaj vendimeve të arbitrit Dorjan Melataj, duke u përleshur fizikisht dhe duke e kërcënuar atë për një karton të kuq.
Pamjet e publikuara tregojnë qartë momentin kur Kokëdhima, i shoqëruar nga zyrtarë të klubit, sulmon arbitrin, ndërsa tensioni përshkallëzohet deri në ndërprerjen e ndeshjes për 25 minuta. Pavarësisht situatës së krijuar, takimi u rikthye në fushë dhe përfundoi me fitoren 1-0 të Apolonisë.
Nga klubi i Gramshit pretendojnë se bazuar në rregullore, ndeshja duhej të ishte ndërprerë përfundimisht. Ata akuzojnë se trajneri, zyrtarët dhe presidenti i Apolonisë jo vetëm që kanë ofenduar dhe sulmuar arbitrin, por gjithashtu i kanë bërë presion për të vijuar lojën.
View this post on Instagram
Deri më tani, as klubi i Apolonisë dhe as Federata Shqiptare e Futbollit nuk kanë reaguar mbi incidentin, ndërsa pritet të shihet nëse do të ketë masa disiplinore për ngjarjen që ka tronditur futbollin shqiptar.