Greqia rrit pagën minimale në 880 euro

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 26.03.2025, 21:51

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka njoftuar rritjen e pagës minimale nga 830 euro në 880 euro, ndërsa synon që deri në fund të mandatit ta çojë atë në 950 euro. Po ashtu, është rritur asistenca sociale për të papunët në 540 euro dhe paga për punonjësit e martuar me eksperiencë trevjeçare, që tani do të marrin 1258.4 euro.

Kjo është rritja e pestë e pagës bazë që nga viti 2019, me një rritje kumulative prej 35.4% në gjashtë vite. Sipas qeverisë greke, politika e punësimit ka dhënë rezultat, duke ndihmuar në uljen e papunësisë dhe përmirësimin e standardit të jetesës.

Shqipëria ende me paga minimale të ulëta

Ndërsa Greqia rrit pagën minimale për të pestën herë brenda gjashtë viteve, në Shqipëri paga minimale aktualisht është 400 euro (45,540 lekë). Edhe pas rritjeve të fundit, paga minimale shqiptare mbetet më shumë se dy herë më e ulët se në Greqi.

Po ashtu, asistenca sociale në Shqipëri është shumë më e ulët, duke lënë një hendek të madh mes standardeve të jetesës në dy vendet fqinje. Për më tepër, ndërkohë që Greqia synon të arrijë një pagë minimale prej 950 eurosh, Shqipëria ende nuk ka një strategji afatgjatë për ta çuar pagën minimale në nivele konkurruese me rajonin.

Këto zhvillime në Greqi janë një lajm i mirë për emigrantët shqiptarë, të cilët do të përfitojnë nga rritjet e pagave dhe asistencës sociale. Ndërkohë, në Shqipëri, qytetarët vijojnë të përballen me kosto të larta të jetesës dhe rroga që nuk arrijnë të mbulojnë nevojat bazë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit