Prej 34 vitesh, rruga kryesore e lagjes Argjileo në kodrën e Potamit është lënë në harresë nga autoritetet vendore, duke u mirëmbajtur vetëm me shpenzimet e vetë banorëve.
Në këtë zonë jetojnë mbi 30 familje, ndërsa gjatë sezonit turistik frekuentohet nga shumë vizitorë, pasi disa prej banorëve operojnë hotele dhe biznese të tjera të lidhura me turizmin.
Banorët e lagjes përballen me mungesën e kanalizimeve, ndriçimit publik dhe koshave të mbeturinave, ndërsa problemet me furnizimin me energji elektrike janë të vazhdueshme.
Gjendja e rrugës përkeqësohet ndjeshëm gjatë reshjeve, duke e bërë të pamundur qarkullimin si për këmbësorët ashtu edhe për automjetet.
Kjo situatë është e papranueshme, veçanërisht kur banorët paguajnë rregullisht taksat si gjithë qytetarët e Himarës, ndërsa mbeten pa shërbimet bazë që duhet të sigurojë bashkia.
Banorët apelojnë për vëmendje dhe veprim konkret nga autoritetet për t’i dhënë fund neglizhencës disavjeçare.
Mesazhi i qytetarit:
“Në lagjen që quhet Argjileo, në kodrën e Potamit, jetojmë më shumë se 30 familje, ku disa operojnë hotele. Gjithashtu, gjatë sezonit, zona vizitohet nga shumë turistë.
Prej 34 vitesh, në këtë rrugë nuk është vënë dorë nga Bashkia Himarë dhe mirëmbajtja e saj bëhet vetëm nga shpenzimet tona.
Kemi pasur shumë probleme me infrastrukturën. Nuk kemi kanalizime, ndriçim gjatë rrugës, kosha plehrash dhe kemi probleme të shumta me furnizimin me energji elektrike. Reshjet e shiut e bëjnë të pamundur kalimin në rrugën tonë, jo vetëm me mjete, por edhe në këmbë.
Paguajmë taksat njësoj si gjithë qytetarët e Himarës, por kujdesi nga autoritetet lokale është zero. Kërkojmë një vëmendje të menjëhershme nga Bashkia për të përmirësuar kushtet e jetesës në këtë zonë.”