Redaksia e JOQ Albania ka siguruar dokumente që ngrenë dyshime të forta mbi një tender të dyshimtë dhe abuziv të zhvilluar nga Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza" (QSUT) për trajtimin dhe asgjësimin e mbetjeve spitalore të rrezikshme për një periudhë 24-mujore (kodet 18.01.01, 18.01.03, 18.01.08).
Tenderi është shpallur me një fond limit prej 141,945,170 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1.7 milionë euro me TVSH dhe është zhvilluar me procedurë të hapur mbi kufirin e lartë monetar. Fitues i tij është shpallur kompania "ECO RICIKLIM" sh.p.k, e cila është në pronësi të Klodian Allajbeut. Dyshimet mbi një skemë abuzive forcohen nga fakti se vlera fituese e tenderit është e barabartë me 100% të fondit limit, duke e bërë këtë një rast klasik të një gare fiktive.
Nga dokumentet që disponon redaksia rezulton se në këtë tender ka marrë pjesë vetëm kompania fituese, duke mos pasur asnjë konkurrent tjetër. Ky fakt hedh hije të forta dyshimi mbi paracaktimin e fituesit dhe mungesën e konkurrencës reale.
Një tjetër element që ngre pikëpyetje është lëvizja e aksioneve të kompanisë pak para dhe pas shpalljes së tenderit. Përpara hapjes së tij, 70% e aksioneve të "ECO RICIKLIM" sh.p.k ishin në pronësi të Arber Teqjas, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij Onejda Ymeraj, njihet si një nga zarat e Klodian Allajbeut, të përdorur për të kryer manovrat e tij të dyshimta.
Vetëm disa ditë pas shpalljes së tenderit nga QSUT, Klodian Allajbeu bleu 70% të kuotave të kompanisë nga Arber Teqja, duke i kaluar ato në pronësi të kompanisë së tij ANAMARK. Kjo lëvizje e menjëhershme dhe e mirëmenduar tregon se e gjithë procedura ishte e sajuar për të favorizuar subjektin e tij.
Mungesa e konkurrencës, vlera e barabartë me fondin limit dhe ndryshimet e papritura të pronësisë së kompanisë fituese përbëjnë elementë të qartë të një skeme të paracaktuar dhe abuzimi me fondet publike.