Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka rënë pre e dy komedianëve të njohur rusë Vovan dhe Lexus, duke menduar se po komunikonte në telefon me presidentin e Letonisë.
Në bisedën humoristike Kurti i shkon mbas fijes tallësve të tij, duke iu përgjigjur pyetjeve mbi mediat e opozitën, madje duke konfirmuar se “ka pasur luftë hibride” ndaj qeverisë së tij.
“Po, ka pasur luftë hibride kundër qeverisë tonë që herët...kryesisht vjen nga Serbia dhe Rusia, por edhe nga disa elementë të tyre brenda në Kosove. Prandaj lufta hibride dhe dezinformtat, e dyta ishte premtimet irracionale të opozitës të cilët flirtonin me luftën hibride. Dhe e treta disa oligarkë në vend, në veçanti njëri, që ka një TV stacion”, dëgjohet të thotë Kurti.
Më tej biseda kalon te emisari Richard Grenell, të cilin e quan “kundërshtar” dhe e akuzon se “është homoseksual”.
“Tërë këto katër vite kundër meje. Ai ishte instrumental në rrëzimin e qeverisë time të parë, në 2020, e vetmja qeveri ishte e imja qe u rrëzua gjatë pandemisë. Dhe tash në masë të madhe është rreshtuar me opozitën. Ai ka marrë një çmim të lartë në Beograd, nuk është në rregull të marrësh çmim të atij soji në një vend autoritar dhe të pretendosh të jesh neutral. Tash ka një punë të re, Instituti Kenedi, ku ka të bëjë me vlerat e ShBA-së… Ai është homoseksual”, thotë Kurti.
Këtu, komedianët e provokojnë: “A e di që edhe unë jam homoseksual?”, pyesin ata, duke iu referuar personazhit të presidentit letonez. “Jo s’e di”, përgjigjet Kurti.