Qeveria e re konservatore në Austri ka vendosur të ndalojë bashkimet familjare për refugjatët e azil-kërkuesit, mes krizës së rëndë të refugjatëve në vend dhe në zbatim të politikave për reduktimin e emigracionit me të cilat erdhi në pushtet.
Këshilli i ministrave votoi sot pezullimin e përkohshëm të rregullit që refugjatët e regjistruar të sjellin në Austri të afërm nga vendi i origjinës.
Ligji do të dalë në parlament ku pritet të votohet nga koalicioni me tre parti i konservatorëve ÖVP, social-demokratëve SPÖ dhe grupimit liberal Neos.
Masa pritet të hyjë në fuqi në maj.
Më herët qeveria kishte informuar Komisionin Evropian për objektivin e saj, duke argumentuar se sistemi i ndihmës sociale në vend është i tejmbushur.
Ministrja e integrimit Claudia Plakolm tha se dhjetra mijëra refugjatë kanë vënë në presion sistemin arsimor e shëndetësor, sidomos prej numri të madh të analfabetëve.
Gjendja skandaloze e shkaktuar nga emigracioni i pafrenuar është raportuar në media ku më herët një raport zbuloi se në Vienë, 52 përqind e nxënësve të shkollave nuk flasin gjermanisht, dhe shifra në zona të caktuara rritej.
Në një sondazh të mësuesve të sindikatës së Vjenës u zbulua se një në dy mësues pranon se më shumë nxënësve të tyre nuk kuptojnë ose flasin mjaftueshëm gjermanisht.
Megjithatë qeveria e ÖVP thotë se masa do të jetë vetëm e përkohshme dhe pritet të skadojë në shtator 2026.
E djathta FPÖ ka akuzuar qeverinë se ashtu si pararendësit e saj, po krijon vetëm iluzionin e reduktimit të emigracionit dhe se masa e saj nuk do të ketë efekt në problemin e rëndë.
Sekretari i saj Michael Schnedlitz tha se sapo kufizimi të skadojë në 2026, do të ketë një valë të re emigracioni që do të asfiksojë shërbimet dhe popullatën vendase.