Reklamohen si bio, qytetares i dalin të mykura kotoletat: E tmerrshme çfarë hanë fëmijët

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 26.03.2025, 15:43

Një tjetër rast shqetësues për sigurinë ushqimore ka mbërritur në redaksinë tonë.

Një qytetare e cila ditën e djeshme bleu disa ushqime te supermarket "Pronatyra MD", te Porcelani, ka denoncuar cilësinë e tyre. Sipas denoncueses, kotoletat e pulës ishin të mykura nga brenda dhe jashtë, duke krijuar një rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve, veçanërisht për fëmijët që i konsumojnë më tepër dhe janë pjesë e grupit më të cenueshëm.

Ajo thotë se ky është rasti i dytë që i ndodh dhe kërkon një ndërgjegjësim të menjëhershëm dhe veprime konkrete nga inspektoratet përkatëse të ushqimeve dhe shëndetit, për të parandaluar që raste të tilla të ndodhin në të ardhmen.

Sipas saj ky rast duhet të shërbejë si alarm për cilësinë e ushqimeve që shiten në këtë supermarket, të cilat shpesh promovohen si "bio" dhe të sigurta për konsum.

Ajo kërkon që çdo supermarket të sigurojë kushte strikte për ruajtjen dhe shitjen e ushqimeve të sigurt, duke mbajtur përgjegjësi për çdo problem që mund të shkaktojë pasoja shëndetësore.

Nga ana tjetër Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në vend që të përdorë rrjetet sociale për të njoftuar qytetarët për rreziqet ushqimore, i përdor ato për të promovuar "suksese" që nuk ndikojnë drejtpërdrejtë në shëndetin e qytetarëve.

Në një reagim zyrtar, rrjeti i marketeve Pronatyra MD ka kërkuar ndjesë publike jo vetëm ndaj qytetares për dëmin e shkaktuar por edhe ndaj kujtdo për shqetësimin e krijuar (përfshirë dhe ndaj atyre që fyen pa njohur situatën). Gjithashtu, ata njoftojnë se pas denoncimit, është ngritur një grup specialistësh të fushës për të verifikuar rastin dhe pasi u vërtetua pretendimi i qytetares kanë filluar të analizojmë rrugëtimin e produktit që nga prodhuesi në Itali deri tek frigoriferët për të gjetur shkakun.

Denoncimi i qytetarit:

Pershendetje nje rast qe me se shumti po ndodh ketu te ne te ushqimet pa kontrolle. Te nje super market te rruga te Porcelani, te Pronatyra eshte I dyti raste qe me ndodh, kotolletat e pules te mykura nga brenda vertet eshte e temershme se keto ushqime I hajne femijet .Kur do kemi nje nergjegjesime nga keta njerez qe meren me kontrrollin e ushqimeve se asnje nuk mere pergjegjsi per keto ushqime qe po hajme qe gjithmon bejne reklamen e madhe qe gjasme jane bio vertet shum turpe per keta njerez. E dregova te ju se asnje nuk mbane pergjesi per keto veprime prandaje e pashe te arsyeshme ta dergoja te ju mbase dicka levize ne qofte se vertet ka njerez te ndershem, ju lutem bejeni publike

Reagimi nga Pronatyra MD:

NJOFTIM ZYRTAR

Marrim shkas nga një lajm i publikuar në datë 26 mars në faqen e njohur JOQ për të sqaruar pozicionin tonë mbi denoncimin e bërë nga një qytetare, kliente e rrjetit PronatyraMD. Për të gjithë ata që nuk e dinë historinë dhe që ne i këshillojmë ta lexojnë; pasi ne si kompani besojmë se ushqimi ndikon direkt në jetën tonë e për rrjedhojë e cilesojmë një mision punën tonë në aktivitetin e supermarketeve, një qytetare ka blerë tek ne një produkt të freskët me shenja myky në trup, gjë që e bën produktin të pakonsumueshëm dhe jashtë standarteve tona të tregtimit. Kaq mjafton që në emër të kompanisë të kërkojmë ndjesë publike jo vetëm ndaj qytetares për dëmin e shkaktuar por edhe ndaj kujtdo për shqetësimin e krijuar (përfshirë dhe ndaj atyre që na fyen pa na njohur).

Menjëherë u ngrit një grup specialistësh të fushës për të verifikuar rastin dhe pasi u vërtetua pretendimi i qytetares filluam të analizojmë rrugëtimin e produktit që nga prodhuesi në Itali deri tek frigoriferët tanë për të gjetur shkakun. Kjo është diçka e pazakontë dhe gjithashtu e hidhur për ne pavarësisht se e konsiderojmë aksidentale. Pasi në respekt të punës së mbi 300 punonjësve, lodhemi përditë për të ruajtur standartet evropiane dhe në përputhje me ligjet shqiptare në produktet që tregtojmë. Është e tepërt të themi që denoncimin publik nuk e meritojmë, por, duke qenë të parimit që një rast i vetëm është i barazvlefshëm me njëmijë, me bindje të plotë ndaj të gjithëve ju që nuk na njihni dhe që ndoshta në mënyrë të pandërgjegjshme na gjykuat, ju ftojmë të vizitoni nga afër pikat tona.

Kjo ftesë vjen si kërkesë për të kundërshtuar reputacionin që ky lajm lë pas por edhe për t’iu shtyrë ndoshta të kuptoni se incidente të tilla në industrinë ushqimore mund të ndodhin edhe kur produkti është në kushtet frigoriferike të duhura, është brenda datës së skadencës dhe transportohet me shumë kujdes nga flota jonë e “Pronatyra Karvan”. Për shkaqet nga më aksidentalet ushqimet e freskëta mund të rezultojnë me probleme të këtij lloji duke i kthyer ato në të pakonsumueshme, sidomos në rastet e ushqimeve të ambalazhuara ku jo gjithmone arrin të dallosh freskinë e një produkti nëqoftëse nuk e hap atë. Kjo gjë ndodh vetëm në shtëpi ose gjithsesi jashtë supermarketit. Ju garantojmë se kjo gjë mund të ndodh edhe në vendet evropiane. Për t’a mbyllur, ne si kompani garantojmë se si dje ashtu edhe sot, por më së shumti nesër, me të tilla raste të cilat na shtyjnë të jemi të kujdesshëm deri në perfeksion, që:

  1. Me klientët tanë jemi të ndershëm dhe ushqehemi në familjet tona me po të njëjtat produkte që tregtojmë në supermarketet PronatyraMD dhe që PO NJËSOJ PA ASNJË DALLIM konsumohen në Itali nga klientët e MD në të gjitha anët e vendit.
  2. Ne garantojmë se çdo produkt që ju blini në dyqanet tona është autentik, me certifikatat e duhura sipas ligjit të ushqimit por edhe nën një monitorim të rreptë në funksion të ruajtjes së tyre pasi i tillë është niveli i bashkëpunimi tonë nga Italia.
  3. PRONATYRA ka një eksperiencë 20-vjeçare në fushën e supermarketeve dhe garanton SIGURI USHQIMORE të plotë në supermarketet e rrjetit duke kuptuar se është e vetmja rrugë drejt rritjes së klientëve tanë besnikë.

Blerje të mbara SHQIPËRI! PronatyraMD

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit