Autoritetet italiane kanë sekuestruar pasuri me vlerë mbi 300 mijë euro, të cilat i përkasin një shtetasi shqiptar të njohur si "Shefi i madh". Ky i fundit rezulton i dënuar për krijimin e një rrjeti të mirëorganizuar të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Në kuadër të operacionit, autoritetet kanë konfiskuar pasuri të patundshme, llogari bankare dhe një automjet.
Sipas hetimeve, grupi i drejtuar nga shqiptari ishte i specializuar në shpërndarjen e kokainës dhe hashashit në Varese dhe në disa provinca të tjera të Lombardisë dhe Emilia-Romagnës. Trafiku i drogës ishte ngritur në një strukturë të organizuar piramidale, duke funksionuar si një kompani e vërtetë, ku ai vetë mbikëqyrte çdo detaj.
Mediat italiane raportojnë se i dënuari sillte bashkatdhetarë në Itali përmes vizave turistike. Pasi mbërrinin, rekrutët përfshiheshin menjëherë në sistem, duke u pajisur me strehim, automjete, celularë dhe lëndë narkotike për shpërndarje. Për të shmangur zbulimin nga autoritetet, grupi kishte krijuar një dhomë speciale për operacionet brenda një apartamenti. Një operator menaxhonte porositë e klientëve përmes WhatsApp-it dhe i shpërndante urdhrat tek trafikantët duke përdorur platforma anonime.
Rrjeti kriminal ishte organizuar deri në detaje. Një magazinë e posaçme përdorej për ruajtjen e automjeteve, drogës dhe armëve. Megjithëse në dokumente figuroi si i papunë dhe pa të ardhura, "Shefi i madh" jetonte në një banesë luksoze, e cila ishte regjistruar në emër të vëllait të tij, i cili njëkohësisht ishte edhe bashkëpunëtori më i afërt. Nga analiza financiare e autoriteteve, u konstatua se anëtarët e kësaj familjeje ishin drejtuesit kryesorë të organizatës. Për të pastruar paratë e përfituara nga trafiku i drogës, ata kishin hapur një piceri, duke e përdorur atë si fasadë për veprimtarinë e tyre të paligjshme.