I kërkuari për vdekjen e turistes britanike burgoset në Norvegji, babai i viktimës: Shqipëria po zvarrit çështjen

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 26.03.2025, 12:23

Një 29-vjeçare britanike humbi jetën në shtator të vitit 2022 në Shqipëri gjatë një zhytjeje.

Instruktori i zhytjes, 48-vjeçari Saimir Kushova, ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare. Megjithatë, ai rezulton i dënuar me 15 vite burg në Norvegji për trafik droge.

Babai i viktimës, George Gannon, në një intervistë ekskluzive për MailOnline, tha:

Kam kaluar pothuajse tre vjet në Shqipëri, duke kërkuar drejtësi. Ka qenë një proces i vështirë dhe shpesh jam ndjerë i vetëm. Kam kaluar kohë larg familjes, por gjithçka që doja ishte që ky njeri të përballej me mua në gjykatë. Tani ai është burgosur në Norvegji. Ky burrë është përgjegjës për vdekjen e vajzës sime dhe duhet të gjykohet për këtë. E vetmja gjë që kërkoja ishte që autoritetet shqiptare ta merrnin seriozisht atë që ndodhi me vajzën time. Vetëm disa javë më parë mësuam se ai ishte arrestuar. Ne e dinim se ishte arratisur nga Shqipëria pak kohë pas vdekjes së Rebeccës, por më pas zbuluam se kishte përfunduar në Norvegji dhe ishte përfshirë në trafik droge.

Sipas informacioneve që kemi siguruar, ai u arrestua në Norvegji rreth gjashtë muaj pasi u largua nga Shqipëria. Megjithatë, nuk kishim dijeni se ai ishte akuzuar, dënuar dhe burgosur për kontrabandë droge.”

Gannon shprehet i zhgënjyer dhe beson se Kushova po i shpëton drejtësisë për rolin e tij në vdekjen e Rebeccës. “Unë kurrë nuk do të heq dorë nga lufta për të,” thotë ai.

Rebecca ishte me pushime në Shqipëri së bashku me të dashurin e saj, Robert Kerans, kur ndodhi tragjedia. Ata ishin duke u zhytur në një zonë me rrënoja të mbytura në Sarandë. Çifti zotëronte çertifikata zhytjeje PADI dhe kishte zgjedhur të merrte pjesë në një udhëtim të organizuar nga Kushova, i cili drejtonte kompaninë Spiranca Diving Centre.

Megjithatë, menjëherë pasi hipën në bord, Rebecca dhe Roberti nisën të dyshonin për gjendjen e pajisjeve, të cilat përfshinin jelekë shpëtimi nën standarde dhe rezervuarë oksigjeni gjysmë bosh. Gjatë zhytjes, pavarësisht se thellësia e ujit ishte vetëm shtatë metra, Rebecca hasi vështirësi dhe u mbyt.

Sipas George Gannon, vajza e tij kishte dalë në sipërfaqe e tmerruar dhe duke kërkuar ndihmë, por më pas ishte zhdukur nën ujë. Ai fajëson autoritetet shqiptare për zvarritjen e hetimeve dhe për vonesat në ngritjen e akuzave ndaj Kushovës.

Më shqetësuesja, sipas tij, është fakti që instruktori i zhytjes u arrestua dhe më pas u arratis dy herë nga paraburgimi, për të përfunduar më pas në Norvegji.

Kushova ishte anëtar i një bande të fuqishme shqiptare të përfshirë në kontrabandën e drogës. Ai u kap në prill të vitit 2023, më pak se një vit pas vdekjes së Rebeccës, duke zhytur në rrënojat e një anijeje pranë bregut të Norvegjisë dhe duke nxjerrë në sipërfaqe çanta të mbushura me drogë. Në gjykatën e qarkut Hordaland, ai deklaroi se nuk ishte në dijeni të përmbajtjes së çantave dhe se ishte thjesht një “zhytës ekspert” i angazhuar për të ndihmuar.

George Gannon, i cili ende ndodhet në Shqipëri, pohon se policia shqiptare kishte shpallur një alarm ndërkombëtar përmes Interpolit, por familja nuk kishte marrë asnjë informacion për vite me radhë. Ata mësuan vetëm disa muaj më parë se Kushova ishte arrestuar dhe dënuar me 15 vite burg për trafik droge në Norvegji.

Vitet e fundit më kanë kushtuar mbi 53,000 £. Kam shpenzuar kursimet e mia, kam qëndruar larg familjes dhe më është dashur të mbyll biznesin tonë familjar. Nuk kemi pasur asnjë mbështetje nga autoritetet shqiptare apo ambasada britanike në Tiranë. Unë e di që ai është në burg në Norvegji dhe ndoshta nuk do të lirohet së shpejti, por nuk do të pushoj derisa ai të gjykohet për vdekjen e vajzës sime. Unë mund të jem gati 80 vjeç kur ai të lirohet, por dua ta shoh atë në gjykatë dhe të dënohet për atë që ka bërë. Kjo më ka kushtuar gjithçka. Madje kam menduar të shkoj në Norvegji dhe të kryej një krim, vetëm që ta shoh atë në burg.”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit