Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur drejtorin e IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, i cili akuzohet për hyrje të paautorizuar në sistemet kompjuterike.
Çështja lidhet me kopjimin e të dhënave në sistemin TIMS, ndërsa organi hetues po e shqyrton edhe për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Sipas hetimeve, më 2 gusht 2023, në orët e vona të natës, në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, e vendosur në Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit në rrugën "Mine Peza" në Tiranë, është konstatuar një hyrje dhe eksportim i paautorizuar i të dhënave nga Ervin Muça.
Po ashtu, rezulton se persona të paautorizuar kanë hyrë në godinë duke përdorur kodin personal të një punonjësi tjetër, i cili nuk ka qenë i pranishëm.
Ervin Muça ishte deri më tani në masën “arrest shtëpie”, teksa më parë ka mohuar akuzat e prokurorisë duke thënë se nuk ka cenuar të dhënat personale të shqiptarëve.
Në përfundim të hetimeve pritet të zbardhet roli dhe funksioni i plotë i drejtuesit të IT-së në këtë çështje.