Problemi i vonesës së bursave për studentët vazhdon të jetë shqetësues, duke prekur gjithnjë e më shumë të rinj që mbështeten në këto pagesa për të përballuar jetesën dhe studimet e tyre.
Një studente e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në Universitetin e Elbasanit ka kontaktuar redaksinë e JOQ Albania për të denoncuar vonesën e bursave të muajve shkurt dhe mars, të cilat ende nuk janë depozituar në llogaritë e studentëve.
"Përshëndetje JOQ! Keni hedhur postime për vonesën e bursave të studentëve dhe doja t’ju vija në dijeni se vazhdon i njëjti problem. Akoma mbetemi me sytë nga aplikacioni për të parë nëse janë depozituar apo jo. Më parë depozitoheshin në fillim të muajit, ndërsa tani, shkurti dhe marsi nuk janë paguar dhe duket sikur as nuk kanë ndërmend t’i japin. Vitin e kaluar nuk kemi pasur probleme të tilla, kalonin çdo muaj. Jam studente në FSHMT, Elbasan."
Ky nuk është rasti i parë që mbërrin në redaksinë tonë për këtë problem. Vetëm disa ditë më parë, një tjetër studente nga Fakulteti i Mjekësisë Dentare ngriti një shqetësim të ngjashëm, duke treguar se prej tetorit nuk ka marrë asnjë pagesë, ndonëse të gjitha dokumentet e nevojshme janë dorëzuar në kohë.
Studentët e prekur nga kjo situatë kërkojnë transparencë dhe një zgjidhje të menjëhershme nga institucionet përkatëse, duke theksuar se këto bursa janë thelbësore për ta dhe vonesat e përsëritura po krijojnë vështirësi ekonomike për ta.