Një qytetar ka denoncuar për JOQ Albania një rast të shpërdorimit të fondeve publike në Njësinë Administrative Fushë Çidhen, Dibër.
Sipas tij, një rrugë e sapo asfaltuar nga Bashkia Dibër, me një fond prej 128 milionë lekësh (pa TVSH), po ndërtohet pa asnjë standard dhe është shumë larg projektit të parashikuar.
Në mesazhin e tij, qytetari shprehet i revoltuar për cilësinë e punimeve dhe për mënyrën sesi fondet publike po shpërdorohen.
Ai shkruan:
"Përshëndetje JOQ! Kjo rruga këtu ndodhet në Njësinë Administrative Fushë Çidhen, Dibër, e sapo asfaltuar nga Bashkia Dibër, mirëpo këtu po vidhet në maksimum. Unë që po ju shkruaj jam një banor i kësaj zone dhe po shoh që këtu po punohet pa asnjë kualitet, me një fond prej 128 milionë lekësh pa TVSH, për vetëm 720 metra rrugë, ku nuk mund të ndërrohen dy makina. Ajo që është edhe më e rëndësishmja, kjo rrugë është RUGË NACIONALE që lidh 3 njësi administrative. Në projekt, kjo është me trotuar, ndriçim etj., por këtu mungon edhe vizimi i saj!"
Pamjet e dërguara nga qytetari tregojnë qartë gjendjen e rrugës, e cila, pavarësisht se është sapo asfaltuar, ka një gjerësi të papërshtatshme për një rrugë nacionale dhe mungesë të elementeve bazë të sigurisë, si trotuare, ndriçim dhe sinjalistikë.
Ky rast ngre edhe një herë pikëpyetje të mëdha mbi mënyrën sesi shpenzohen fondet publike në infrastrukturë dhe mbi mungesën e kontrollit nga Bashkia Dibër. Banorët e zonës kërkojnë që çështja të ndiqet nga autoritetet për të garantuar që rruga të përfundojë sipas standardeve të premtuara në projekt.