Shitësit e një pike zyrtare të automjeteve të luksit Mercedes në New York i ofronin rregullisht ulje të konsiderueshme “klienteve të zgjedhura femra” në këmbim të seksit, ka paditur së fundmi një ish-punonjëse, duke shpalosur një kulturë të gjerë korrupsioni që nuk kursen asnjë aspekt të botës së biznesit.
Në padinë e depozituar në gjykatë nga Talita Paulino, e cila punoi për një vit në dyqanin e Mercedes-Benz në Massapequa thuhet se një punonjës shitjesh shpërndante video të seksit me blerëset që pranonin “marrëveshjen”.
Në ankimimin e Paulino thuhet se një punonjës shitjesh kishte pranuar se kishte shkuar shumë herë me gra sipas marrëveshjeve të tilla, ndërsa shtonte se kishte parë shefin e saj të prekte në të pasme një kliente teksa i ofronte ulje të konsiderueshme, dhe më pas ata u larguan së bashku në makinën e tij personale.
Kjo sjellje degraduese prekte dhe anëtare të stafit si Paulino, e cila argumenton se eprori ‘maniak’ i kufizonte informacione të rëndësishme për punën nëse femrat nuk e lejonin t’i prekte “në mënyrë seksuale”.
“Vendi i punës duhet të trajtojë punonjësit e punonjëset me respekt e dinjitet, ndërsa kjo sjellje është shumë larg kësaj”, tha për rrjetin “The Independent” avokati Joshua Paul Frank, i cili përfaqëson Paulino.
Paulino kishte nisur punë në pikën Mercedes-Benz të Massapequa më 26 prill 2024, por menjëherë e gjeti veten të trajtuar si objekt seksual, kur eprori e mori për një “xhiro me makinë” dhe i kërkoi seks.
Kur ajo kishte refuzuar avancimet e drejtuesit të shitjeve, femrave të tjera të stafit që i lejonin atij “lojrat”, i jepeshin më shumë mundësi shitjeje, kështu që rrjedhimisht Paulino u detyrua të pranonte kërkesat e menaxherit për “përqafime,” për të fituar një rrogë.
Por në tetor 2024 Paulino vendosi se nuk mund të punonte në këto kushte degraduese dhe dorëzoi dorëheqjen prej ngacmimeve seksuale.
Ajo ka paditur kompaninë për dëme ekonomike dhe psikologjike, stres emocional, dhimbje e vuajtje mendore në filialin amerikan të shitjeve, shkruan rrjeti The Independent.