Një situatë tejet shqetësuese është raportuar nga qytetarët në redaksinë e JOQ Albania.
Çështja këtë herë ka të bëjë me kafshët e ngordhura në anë të rrugës, të cilat janë aksidentuar nga automjetet. Unaza e Madhe e Tiranës është një ndër vendet ku kafshët e gjora përplasen dhe shtypen më shumë nga makinat.
Kjo edhe për shkak se rruga kalon në zona shumë të populluara, por edhe për shkak të mungesës së masave për të kufizuar futjen në rrugë të kafshëve.
Për të denoncuar një rast të ngjashëm, një qytetar ka marrë telefonin dhe ka numëruar 4 kafshë të ngordhura që dergjen prej javësh në rrugë. Askush nuk ka marrë mundimin që t’i pastrojë, madje dhe as shoferët që mund t’i kenë përplasur aksidentalisht.
Përveç shqetësimit estetik dhe etik, situata përbën një rrezik serioz higjieno-sanitar, pasi kafshët mund të kthehen në burim infeksionesh për banorët e zonës. Gjithashtu, prania e tyre në rrugë mund të shkaktojë aksidente, duke rrezikuar drejtuesit e automjeteve.
Qytetarët i bëjnë thirrje autoriteteve përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme për pastrimin dhe parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen.