Mëngjesin e kësaj të marte, gurë të mëdhenj janë rrëzuar në mes të rrugës së Arbrit, në afërsi të Shkallës së Tujanit, duke përbërë një rrezik serioz për qarkullimin.
Edhe pse rruga është inauguruar kohën e fundit, punimet në këtë segment kanë vijuar dhe gjatë gjithë vitit të kaluar, ku cilësia e ndërtimit vijon të jetë problematike. Rrjetat mbrojtëse, të vendosura për të parandaluar rënien e inerteve, kanë dalë plotësisht jashtë funksionit, pasi janë këputur, duke lejuar që gurët të përfundojnë në rrugë.
Një qytetar, i cili ka dërguar pamjet nga vendngjarja, shkruan: “Rruga e këtyre zotërinjve që ka kushtuar 370 milionë euro, shihni çfarë sigurie ka”.
Mungesa e ndriçimit mbetet një tjetër problem serioz, duke e bërë situatën edhe më të rrezikshme për drejtuesit e mjeteve, sidomos gjatë natës ku mund të përplasen me këta gurë që vijnë nga mali.
Pavarësisht investimeve të mëdha e parave të “derdhura lumë’, problemet në Rrugën e Arbrit nuk kanë të sosur, nga shembja e shpateve të malit deri te dëmtimi i murit mbajtës të rrugës në zonën e Shkallës së Tujanit, duke shkaktuar pasiguri për udhëtarët.