Janë zbuluar detaje të reja në lidhje me rastin e adoleshenteve në Vlorë, të cilat janë nxitur për të përdorur lëndë narkotike, ndërsa njëra prej tyre ka rënë viktimë e abuzimit seksual.
Ngjarja është denoncuar në polici nga nëna e vajzës së abuzuar, pasi e bija i ka treguar për atë që kishte ndodhur, personat e përfshirë dhe të gjithë rrjedhën e ngjarjes. Më pas, nëna dhe vajza janë paraqitur në polici për të bërë denoncimin.
Sipas informacioneve, vajzat kanë shkuar në një hotel në Vlorë me dëshirën e tyre. Një prej tyre dyshohet se kishte kohë që komunikonte me Rinald Rakipajn, autorin e ngjarjes. Ky i fundit e ka bindur vajzën e mitur që jo vetëm të shkojë në hotel me të, por edhe të marrë me vete dy shoqet e saj. Të shtyra nga kureshtja dhe të nxitura nga dy personat e përfshirë, të cilët ishin miq mes tyre, vajzat kanë konsumuar lëndë narkotike të llojit kokainë. Më pas, Rakipaj është larguar nga grupi bashkë me njërën prej vajzave dhe ka kryer abuzimin seksual ndaj saj.
Ndërkohë, shoku i tij ka qëndruar me dy vajzat e tjera duke konsumuar lëndë narkotike, por nuk ka patur abuzim seksual ndaj tyre.
Pas denoncimit, policia ka arrestuar 33-vjeçarin dhe e ka marrë në pyetje. Fillimisht ai nuk e ka pranuar fajin, por përballë provave ka rrëfyer ngjarjen dhe ka treguar dinamikën e saj. Autori ka pohuar se kishte komunikim prej kohësh me njërën prej vajzave dhe se ato kishin shkuar në hotel me dëshirë. Sipas tij, marrëdhënia seksuale ka ndodhur me pëlqimin e vajzës.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.