Protestat kundër arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit para zgjedhjeve presidenciale kanë vijuar mbrëmë për të gjashtën natë, me akuza sundimi autoritar ndaj presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.
Ky i fundit dënonte sot partitë opozitare që sipas tij po provokojnë "një lëvizje dhune” dhe mohon se ndalimi i Ekrem Imamoglu është i motivuar politikisht.
Trazirat nisën prej të mërkurës kur kryebashkiaku i Stambolit, rivali kryesor politik i Erdogan, u arrestua me akuza korrupsioni, disa ditë pasi kishte shpallur kandidaturën për zgjedhjet presidenciale.
Erdogan i ka quajtur demonstratat "të liga" dhe fajëson opozitën për "prishje të qetësisë së qytetarëve me provokime".
Duke folur nga kryeqyteti Ankara, Erdogan bëri thirrje për ndalimin e protestave dhe të deklaratave të opozitës që sipas tij ishin "më të pistat e historisë politike të vendit”.
Protesta para bashkisë së Stambolit ishte paqësore, teksa një ditë më herët u regjistruan përplasje të ashpra me policinë dhe arrestime të demonstruesve.
Demonstruesja Lidia tha për rrjetin AFP se autoritetet turke "po na ndjekin sikur të ishim parazitë", teksa shtonte: "Ata na spërkasin me djegëse në fytyrë sikur të përdornin insekticide."
Shumë të rinj protestues nuk kanë jetuar asnjë pushtet tjetër në Turqi përveç atij të Erdogan, por kanë qenë në krye të protestave.
Pikëpamja e tyre politike nuk ka lidhje me asnjë nga partitë por vetëm marshojnë kundër arbitraritetit të qeverisë dhe nuk hezitojnë të kritikojnë edhe opozitën.
Një demonstrues i ri tha për rrjetin BBC: "Ne nuk kemi asgjë për të humbur më. Më parë kishim frikë por tani jemi vetëm të zemëruar."
Policia turke ka thënë se 1,133 janë arrestuar që prej nisjes së protestave.
Opozita CHP ka thënë se protestat e saj mbyllen sot, ndërsa nuk dihet nëse ato do të vazhdojnë në mënyrë spontane apo se cilat do të jenë hapat e ardhshëm të lëvizjes.
Kreu i saj Ozgur Ozel tha mbrëmë se demonstratat janë një "akt refuzimi ndaj fashizmit".
Ozel shtoi se ka vizituar Imamoglu në burgun e Silivri dhe se CHP do të bëjë presion që ai të lirohet në pritje të gjyqit dhe që gjyqi të transmetohet direkt në rrjetin televiziv shtetëror TRT.