Policia ka identifikuar autorët e konfliktit të ndodhur ditën e djeshme në rrugën “OSBE” në Kamëz, ku pas një sherri për motive të dobëta mbeti i lënduar 38-vjeçari Redi Vata.
Sipas policisë, ishin dy shtetasit Marjo Boja 26-vjeç dhe Ersjon Boja30-vjeç, që në 24 mars rreth orës 10:00 i prenë rrugën me makinë 38-vjeçarit, duke e goditur me sende të forta. Pas kësaj ata u larguan nga vendi i ngjarjes me një automjet tip “Benz ML”, dhe ende janë në kërkim.
Nga kontrolli që është bërë në banesën e shtetasit Marjo Boja, është gjetur 1 armë zjarri pistoletë (me leje) dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Ditën e djeshme në vendin e ngjarjes u gjet dhe një gëzhojë arme, por që nuk dihet kush e ka shkrepur. Redi Vata u dërgua në spital pas plagosjes dhe tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i Policisë:
Kamëz
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore, identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas, autorë të dyshuar për plagosjen e një 38-vjeçari, me sende të forta.
Sekuestrohen 1 armë zjarri dhe një sasi municioni luftarak, që u gjetën në banesën e njërit prej autorëve të dyshuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, ditën e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “OSBE”, një shtetas ishte goditur me sende të forta, organizuan menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të konfliktit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit M. B., 26 vjeç dhe E. B., 30 vjeç, të cilët dyshohet se dje, rreth orës 10:00, në rrugën “OSBE”, për motive të dobëta, i kanë prerë rrugën, me automjet, shtetasit R. V., 38 vjeç, dhe e kanë goditur atë, me sende të forta. I dëmtuari mori mjekim dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit M. B., shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë (me leje) dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, është shpallur në kërkim automjeti tip “Benz” me të cilin dyshohet se janë larguar nga vendi i ngjarjes, 2 autorët e dyshuar.
Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, për gjetjen e automjetit dhe për dokumentimin ligjor të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.