Spiralja misterioze me dritë blu i mahnit të gjithë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 25.03.2025, 10:13

Një fenomen i pazakontë dhe magjepsës ka tërhequr vëmendjen e shumë banorëve të Italisë Veriore, mes tyre shqiptarë, mbrëmjen e së hënës, më 24 mars 2025.

Një spirale e ndritur dhe e dukshme qartë në qiellin e natës ka lënë pa fjalë çdo kalimtar që kishte fatin të shihte këtë pamje spektakolare në momentin e duhur.

Fotografi të shumta të këtij fenomeni u hodhën në rrjetet sociale nga zona të ndryshme të Venetos, përfshirë Veronën, Venecian dhe Trevison, duke nxitur shumë spekulime. Disa përdorues të internetit sugjeruan se mund të ishte një pamje e UFO-ve, ndërsa të tjerë menduan për një raketë hapësinore.

Pavarësisht se ende nuk ka një shpjegim zyrtar, ekspertët po sugjerojnë se fenomeni mund të ketë ardhur si rezultat i lëshimeve të raketave ose satelitëve. Gjatë disa fazave të fluturimit, lëshimi i gazrave ose karburanteve në atmosferë mund të krijojë efekte optike të jashtëzakonshme që formojnë spirale të ndritshme në qiell. Kjo është një dukuri që është vërejtur më parë edhe në vende të tjera si Norvegji, Zelandë e Re, Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.

Ekspertët besojnë se spirala që u pa mbi Veronë ishte rezultat i një lëshimi raketor Falcon 9 nga SpaceX, kompania hapësinore e Elon Musk. Pas lëshimit të ngarkesës, raketa hyn në fazën e dytë, ku çliron gazra dhe karburante që krijojnë spirale të ndritshme të dukshme në qiellin e natës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit