Një plagosje me thikë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme (24 mars) në qytetin e Beratit, ku një i moshuar 85-vjeçar ka mbetur i dëmtuar rëndë dhe është dërguar menjëherë në spital.
Ngjarja ka ndodhur në ambientet e një lokali në lagjen "Çelepias" të qytetit të Beratit. Autori i dyshuar është identifikuar si Asllan Fetiu, i cili ka hyrë në lokal dhe ka qëlluar me thikë në bark klientin e moshuar, Todi Biçaku.
Sipas informacioneve, autori ka hyrë në lokal duke kërkuar një shtetas, dhe kur i kanë thënë se ai nuk ndodhej aty, ka filluar të shajë klientët. Pas kësaj, Todi Biçaku, i moshuari që ndodhej në lokal, ka kërkuar nga autori të dilte jashtë, por ai e ka plagosur me thikë.
I plagosuri është transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal Berat, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur krehjen e zonës për të kapur autorin, i cili është larguar nga vendi i krimit.
Familjarët e 85-vjeçarit kanë deklaruar për JOQ ALBANIA se autori i kësaj ngjarje, Asllan Fetiu është shoferi i Klodian Allajbeut, pronarit oligark të spitalit "Amerikan". Ai madje është administrator i kompanisë "Anamark", me veprimtari qiradhenie, tregtim te artikujve ushqimore dhe zotërues të 100% aksioneve, vetë Allajbeun.
Por sulmi në një lokal lagjeje nuk dihet nëse ka lidhje me vetë Fetiun, apo ishte nisur si ndonjë qokë për pronarin.
Grupi hetimor është duke vijuar punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, duke përfshirë edhe shqyrtimin e kamerave të sigurisë të biznesit dhe atyre përreth. Policia ka nisur hetimet dhe po punon për kapjen e autorit dhe sqarimin e plotë të motivit të krimit.